
Gjatë një takimi me banorë të Kamzës dhe Bregut të Lumit, Ilir Meta ftoi qytetarët që të votojnë për LSI-në më 25 qershor, për mesazhin që kjo forcë politike përcjell.
“Mesazhi i LSI-së është një mesazh bashkëpunimi, është një mesazh harmonie, përfshirjeje. Tek kjo forcë e gjejnë veten gjithnjë e më shumë shqiptarë e gjithnjë e më shumë të rinj dhe të reja. Sepse të rinjtë e të rejat i bashkon padurimi për një të ardhme sa më të mirë, në mënyrë që ata të kenë një arsim sa më cilësor dhe një formim profesional”, deklaroi Meta.
Durrës, Dako: Prioritet bujqësisë
Vangjush Dako, drejtuesi politik i PS për Durrësin, tha gjatë takimit me fermerët e Sukthit se bujqësia është një nga 5 shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe një nga sektorët me mundësi më të mëdha punësimi.
“Kemi filluar këtu me pastrimin e kanaleve. Do të vazhdojmë me rrugët, do të vazhdojmë me investime të tjera të shkollave. Do të vazhdojmë për të përmirësuar çdo ditë cilësinë e jetës së banorëve. Është projekti i madh i furnizimit me ujë të gjithë zonës”, tha Dako.
Elbasan, Balla: Rama ta drejtojë i vetëm timonin e reformave
Nga Elbasani, gjatë bashkëbisedimit me qytetarë, Taulant Balla kërkoi votën për PS në zgjedhje, në mënyrë që, siç tha ai, Edi Rama ta drejtojë i vetëm “timonin e reformave”.
“Reforma në drejtësi ka shumë armiq. Edhe ata që erdhën e votuan vettingun javën e kalaur erdhën në sallë me kartonin lart dhe kokën poshtë. Do jetë e pakuptueshme nëse ne më 25 qershor nuk bëhemi të gjithë bashkë për t’i dhënë mundësinë Edi Ramës që timonin e reformave dhe timonin e Shqipërisë sonë ta ketë vetëm PS”, tha Balla.
Top Channel