Kuvendi i Maqedonisë nisi këtë të martë seancën parlamentare të fokusuar te zgjedhja e qeverisë së re të vendit.

Talat Xhaferi e filloi seancën në gjuhën shqipe, megjithatë u shpreh se deri në miratimin e ndryshimeve të ligjit për përdorimin e gjuhëve, seancat do t’i udhëheqë në gjuhën maqedonase.

Në seancë marrin pjesë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së.

I mandatuari me formimin e saj, Zoran Zaev e ka dorëzuar propozimin e përbërjes së kabinetit, bashkë me programin qeverisës, e listën emërore të ministrave e kishte bërë publike që të dielën.

Në respektim të rregullores, në hapjen e seancës, fjalimin përpara deputetëve e mban Zaev, duke paraprirë kështu diskutimet e ligjvënësve në sallë.

Mbi renditjen e atyre që marrin fjalën ishte rënë dakord në seancën koordinative të së hënës me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, ku nuk mori pjesë përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së.

Qeveria duhet të zgjidhet dy ditë pas fillimit të seancës, më e shumta deri mesnatën e së mërkurës. Për këtë nevojiten votat e të paktën 61 deputetëve.

Ndërkohë, LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët kanë së bashku 62 deputetë në Kuvendin 120-anëtarësh. Dy partitë politike shqiptare do të drejtojnë 7 ministri dhe një dikaster pa portofol.

BDI do të marrë dikasterin e Euro-Integrimeve, Sistemin Politik dhe Marrëdhënieve midis Komuniteteve, Ministrinë e Drejtësisë, atë të Ekonomisë dhe Planifikimit Hapësinor, e do të ketë edhe një ministër pa portofol.

Aleanca për Shqiptarët do të drejtojë dy ministri, atë të Shëndetësisë dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal. Votimi i qeverisë do të bëhet 5 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, për shkak të bllokimit që iu bë formimit të qeverisë, nga VMRO-DPMNE-ja e ish-kryeministrit Nikola Gruevski dhe presidenti Gjorge Ivanov.

Top Channel