Lëvizja Socialiste për Integrim tenton të jetë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit, por a do mundet ajo të luftojë dhe të fitojë kundër dy “dinosaurëve” të politikës shqiptare? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, në “Top Story” ishte e ftuar zv/kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Duke folur për marrëveshjen Rama-Basha, Kryemadhi tha se kjo marrëveshje tregoi që “LSI-ja ka qenë koherente dhe e saktë në kërkesat e saj për qeverinë e besimit”.
“Sot jemi me qeveri besimi, por me 2 muaj vonesë. Kemi një vend më të qetë politikisht dhe me një fushatë elektorale që ka nisur. Zgjedhjet pa opozitën do të ishin një atentat për politikën shqiptare. LSI-ja nuk ka qenë me çadrën, por nxitëse e dialogut politik. Nëse do të kishim zgjedhje pa opozitën, do të thonte të shkatërronim bazën e demokracisë. Do të kishim ndërprerje të implementimit të reformës në drejtësi, të procesit të integrimit dhe situatë politike e ekonomike të agravuar. Kemi ushtruar presion, në kuptimin e mirë të fjalës, që palët të ulen e të bisedojnë”, tha Kryemadhi.
“Duhet të harrojmë arrogancën në politikë dhe të jemi më realistë. Kryeministri Rama nuk kishte pse të provokonte opozitën dhe në anën tjetër, PD-ja nuk kishte pse të kërcënonte me prishje të procesit zgjedhor”, shtoi Kryemadhi.
Në lidhje me vizitën e Ilir Metës te Sali Berisha pas arritjes së marrëveshjes, Kryemadhi tha se Meta, i cili sipas saj është një nga negociatorët kryesorë të marrëveshjes, shkoi te Berisha “për ta falenderuar që u arrit kjo marrëveshje”. “Jam e bindur se dhe doktori ka pasur ndikim në këtë marrëveshjeje”, tha zv/kryetarja e LSI-së.
Monika Kryemadhi theksoi se, “lë për të dëshiruar shumë qeverisja aktuale, ku jemi pjesë edhe ne”. Sipas saj, “duhet punuar fort dhe pa arrogancë”, sidomos për përmirësimin e klimës së biznesit.
“Biznesi dhe shteti duhen parë si partnerë dhe jo si armiq me njëri-tjetrin”, tha Kryemadhi.
Duke folur për marrëdhënien PS-LSI, Kryemadhi tha: “LSI-ja i ka qëndruar luajale marrëveshjes së Shkodrës, korrekte dhe e ka zbatuar me përpikmëri. Problemet e brendshme që mund të kenë në Partinë Socialiste, mundohen t’i kalojnë te të tjerët. Unë them që t’i përkushtohen elektoratit dhe premtimeve të vitit 2013”.
Përsa i përket llogarive për zgjedhjet e 25 qershorit, Kryemadhi i ka idetë e qarta: “Në vitin 2013 morëm 180 mijë vota. PS përfitoi 2 mandate nga LSI-ja atëherë. 180 mijë vota janë 18 mandate. Në vitin 2015 ishin 34 mandate. Mungesa e koalicioneve dëmton disa parti të tjera më të vogla, por LSI-ja do të ketë shumë mandate. Rritja progresive e votave të LSI-së është gjithmonë dyfish. Në 2015 kishim 34 mandate, në 2017 bëjini vetë llogaritë. Kam besim se do të jemi forcë e parë”.
“Ka ardhur koha që shqiptarët t’i japin shansin LSI-së për të qeverisur”, përfundoi Kryemadhi.
Top Channel