
Komisioni përzgjedhës i vetting-ut përfundoi seancat dëgjimore me personat që kandidojnë për organet e reja që do të bëjnë kontrollin e figurës dhe pasurisë së gjyqtarëve, prokurorëve dhe njerëzve të tjerë të drejtësisë.
Prej 67 kandidatëve, duhet të votohen 25, por ky është një proces që u përket 2 komisioneve të tjerë. Tek ky i përzgjedhjes, përfaqësuesit e opozitës ishin të pakënaqur me mënyren sesi Avokati i Popullit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kishin zbatuar kriteret e vlerësimit.
Sipas opozitës, të paktën 12 kandidatë që janë vlerësuar pozitivisht, nuk përmbushin kriteret. Por, problemi më serioz, siç thonë demokratët, është niveli nën mesataren i shumicës dërrmuese të kandidatëve.
Këtë vlerësim, opozita e bëri në një takim përmbyllës me dyer të mbyllura dhe akoma nuk është e qartë se me sa emra do të shkojë tek dy komisionet e tjera lista përfundimtare për t’u votuar.
Top Channel