Rama: Të na votojnë edhe demokratët

29/05/2017 00:00

Partia Socialiste vijoi fushatën elektorale pasditen e së dielës në qytetin e Cërrikut, ku ka prezantuar ekipin dhe programin.

Edi Rama kërkoi votën jo vetëm simpatizantëve të PS-së, por edhe atyre të PD-së, në mënyrë që të vazhdohet më tej me punën dhe reformat që janë bërë, sipas tij, gjatë këtyre 44 muajve të qeverisjes.

“Ne, në këto 44 muaj, dhamë një provë që askush në çerek shekulli nuk e dha. Provën që ne mund të bëjmë shtet dhe për të bërë shtetin që duam, ka shumë rëndësi që në 25 qershor të mos lejojmë që të tjerë të prekin dhe të prishin themelet që mezi i kemi ndërtuar. I themi socialistëve, demokratëve dhe të gjithë atyre që janë në radhë të parë prindër, që janë individë me jetë për të përballuar e projektuar, pastaj janë simpatizantë të një partie, që vetëm Partia Socialiste, duke e mbajtur timonin pa të tjerë në prehër, mund të bëjë shumë e shumë akoma”, tha Rama.

Në mbrëmje, Edi Rama mori pjesë edhe në iftarin e shtruar për besimtarët myslimanë në qytetin e Elbasanit, ku nënvizoi vlerat e myslimanizmit dhe rolin që ata luajnë në bashkimin kombëtar.

Top Channel