Ngjela: Lista e Bashës për të shpëtuar Berishën

29/05/2017 00:00

Vendi ka hyrë në një fushatë të pashembullt, ku të gjitha palët janë në qeveri dhe po të gjitha garojnë kundër njëra-tjetrës për marrjen e besimit popullor më 25 qershor.

Top Story nisi këtë të hënë në javën e parë të fushatës elektorale në një studio të re, ku nga e hëna në të enjte do të bëhet një analizë e thelluar e garës së 25 qershorit, garë që duket më e ashpër brenda vetë llojit sesa, të paktën deri më tani.

Në këtë takim të parë të fushatës të ftuarit Spartak Ngjela, Agron Gjekmarkaj, Mustafa Nano, Fahri Balliu dhe Alfred Lela folën për listën e Partisë Demokratike, lënien jashtë saj të një sërë figurash të zëshme dhe reagimin e tyre.

I pari që mori fjalën ishte Spartak Ngjela. Ai e quajti listën mediokre.

“Është një listë mediokre me dhe produkt i një ligji anormal. Ky ligj nuk ofron betejë elektorale. Ky nuk mund të jetë ligji i ardhshëm për zgjedhjet”, tha ai.

Lidhur me figurat e lëna jashtë nga Basha, Ngjela bëri një komentim.

“Qeveria humbëse e 2013 nuk mund të ishte më në listë, sipas konceptit tim. Bregu, Topalli dhe Selami gabuan pse nuk hynë në Parlament më parë”, vijoi Ngjela.

Sipas tij, qëllimi i listës së Bashës nuk është fitorja në zgjedhje, por një tjetër.

“Lista është një kompromis për të shpëtuar Berishën dhe ndoshta edhe familjen e tij nga reforma në drejtësi. Tani duhet parë pas 25 qershorit, pas zgjedhjeve nëse kjo listë do ta garantojë këtë”, u shpreh ai.

Top Channel