
Mustafa Nano mendon se kryetari i Partisë Demokratike ndodhet në momentin më të vështirë të karrierës së tij politike.
Duke folur në Top Story me Sokol Ballën, Nano thotë se ka një empati për listat e kandidatëve për deputetë të nxjerra nga ai, por se nuk sheh ndonjë veçori tek to.
“Sot është shumë e kollajtë të jesh kritik ndaj Bashës. Ai është në një moment shumë të vështirë, ndoshta më të vështirin e jetës së vet politike. Ai me listat nuk është se bëri ndonjë gjë të pabërë dhe të padëgjuar. Është një praktikë e politikës shqiptare dhe kjo e Bashës nuk përbën ndonjë veçori nga listat e partive të tjera”, tha Nano.
Sipas tij, në asnjërën prej partive listat me kandidatët nuk kanë logjikë dhe kjo, thotë Nano, vërehet edhe tek listat e Partisë Demokratike, që sipas tij, bie ndesh me retorikën e përdorur nga Basha.
“Lista nuk ka një logjikë me të cilën të jetë e bazuar dhe asnjë prej listave nuk ka një logjikë, por lista e PD është në përplasje me retorikën e Bashës për republikën e re. Atëherë, pse Pollo është në listë dhe Selami jo? Pse Berisha është në listë dhe Topalli jo?”, shtoi ai.
Nano mendon se edhe reagimi i grupit të figurave të lëna jashtë listave, si Topalli, Bregu, Selami dhe të tjerë është më shumë një “merak” personal sesa shqetësim publik/
“Po shitet si një merak pulik dhe shqetësim publik mungesa e këtyre që nuk janë në këtë listë, kur në fakt është një shqetësim i tyre privat. Të gjithë ata janë çuar sot se përse nuk u zgjodhën deputetë”, vijoi Nano.
Top Channel