Gjiknuri: Na duhen 71 mandate të qeverisim me mandat të plotë

29/05/2017 00:00

Lukova ishte ndalesa e radhës së drejtuesit politik të Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri.

I shoqëruar edhe nga kandidati për deputet Adrian Gurma dhe kryetari i bashkisë së Himarës Jorgo Goro, Gjiknuri diskutoi me banorët në lidhje me programin e Partisë Socialiste për zonën e bregdetit. Adrian Gurma, mjek në profesion, i kërkoi banorëve të votojnë Partinë Socialiste në mënyrë që reformat e nisura, të përfundojnë me sukses.

“Ashtu sikurse punoi fort Partia Socialiste gjatë këtyre katër viteve për të realizuar gjithë ato premtime, ashtu siç punoi fort për të realizuar vetingun, ashtu do të punojë fort edhe për mirëqenien, punësimin e prosperitetin e vendit”, u shpreh Gurma.

Gjiknuri u premtoi banorëve se investimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, edhe më të mëdha se më parë. Por që këto investime të realizohen duhet një votë masive për Partinë Socialiste, sidomos në Qarkun e Vlorës.

“Ju keni qenë dëshmitarë jo vetëm të këtij investimi por edhe shumë investime të tjera në bashki, qoftë në energjitike, qoftë në infrastrukturën rrugore dhe në shumë gjëra tjera që kjo zonë i meriton. Shanset janë reale sepse njerëzit janë bindur, që është forca më progresiste, që bëri shtet në 4 vjet dhe mbi të gjitha ndërmori edhe reformën e guximshme të drejtësisë. Reforma e drejtësisë do të jetë një garanci për më tutje që shumë nga këto probleme të mbartura që fatkeqësisht nuk i zgjidhëm dot të gjitha në këto 4 vjet, do jenë detyra për 4 vjeçarin e ardhshëm. Garancia e vetme për këtë do të jetë Edi Rama”, nënvizoi Gjiknuri.

Më tej, ai ishte i drejtpërdrejtë në nevojën për një votë masive për Partinë Socialiste duke i dhënë asaj shumicën qeverisëse.

“Ne na duhen 71 mandate të qeverisim me një mandat të plotë, që është ato gjëra që nuk kanë shkuar dhe aq mirë në disa sektorë të Shqipërisë, ne kësaj rradhe ti bëjmë ashtu siç duhet. Zhvillimi vjen nga investimet e qëndrueshme që krijojnë mirëqenie. Të bërit shtet do krijojë mundësinë edhe për punësim, edhe për mirëqenie”, u shpreh Gjiknuri.

Top Channel