Basha: Më 25 qershor, për ndryshimin

29/05/2017 00:00

Lulzim Basha edhe një herë e ftoi kryeministrin Rama për debat televiziv.

“Edi Rama nuk flet për bilancin e tij. E harxhon kohën për barsaleta kundër opozitës. Sot ia përsëris nga Dibra ftesën për debat televiziv. Le të na dëgjojnë shqiptaret cili është bilanci yt dhe i imi. Le të gjykojnë shqiptarët. Mos ia moho debatin. Përgjigju dhe eja në debat”, tha Basha.

Nga Dibra ku mori pjesë në një takim elektoral, ai i parapriu edhe vizitës së parashikuar nga Kryeministri.

“Rama sot do të jetë në Dibër dhe do ketë nja takim me gratë dhe vajzat. Nuk ju them të mos shkoni, shkoni. Mos ikni si figurantë. Por bëjini disa pyetje. Pyeteni se ku shkuan premtimet, vendet e punës, ndihma ekonomike, mos e leni ta kthejë në estradë këtë fushatë”, u shpreh kreu i PD-së.

Basha u tha dibranëve që i ka dhënë provat për punë dhe tani u kërkon besimin për “Republikën e re”.

“Ekonomia do jetë prioriteti im i parë. Ne kemi një plan të shkëlqyer të hartuar me ndihmën e CDU-së. Ekonomia do ndryshojë. Do çlirojë energji pozitive dhe do hapë vende të reja pune. Me Lulzim Bashën do keni një kryeministër që punon për mirëqenien tuaj”, tha Lulzim Basha.

Të gjitha këto tha ai do realizohen vetëm me votën tuaj.

“Që të ndodhin të gjitha këto, këtë e keni në dorë vetëm ju. Më 25 qershor. Është vota juaj që do bëjë ndryshimin. Ose zgjidhni rrugën e mashtrimit e teatri të kukullave ose merrni Dibrën në dorë me votën tuaj. Merreni me vullnetin tuaj, ta bëjmë Dibrën dhe t’i japim ekonominë e fortë. Ju e keni në dorë. Ndryshimi po vjen”, tha Basha.

Top Channel