Basha: Do të lindë Republika e Re

29/05/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbrëmjen e së dielës mori pjesë në mitingun e Fierit, i pari tubim jashtë Tiranës.

Përpara simpatizantëve, Basha u shpreh se në këto 4 vite të qeverisjes së socialistëve, Partinë Demokratike dhe qytetarin e thjeshtë të Fierit i kanë bashkuar hallet. Janë pikërisht këto halle që, sipas Bashës, tani kanë bërë bashkë shqiptarët, të cilëve u kërkoi që në 25 qershor të marrin në dorë fatet e vendit.

“U bashkuam për t’i thënë ndal iluzionit të demokracisë, që në këto 25 vite nuk i realizoi pritshmëritë e qytetarëve. U bashkuam për t’i thënë ndal politikës që demokracinë e ka bërë një pemë ku frytet i korrin vetëm një grusht politikanësh, duke lënë shumicën e shqiptarëve me gisht në gojë. U bashkuam për t’i thënë ndal grabitjes së Shqipërisë dhe të ardhmes së fëmijëve tuaj. Sot jemi këtu me një mesazh: shqiptarë, merrni vendin në dorë me votën tuaj! Më 25 qershor për Republikën e Re, republikën tuaj”, tha Basha.

Basha u bëri thirrje qytetarëve të Fierit që të kujtojnë të gjitha premtimet e bujshme të socialistëve, për 300 mijë vende pune, për ulje taksash dhe çmimesh si dhe për rritje pensionesh që nuk i realizuan asnjëherë.

Top Channel