Zgjedhjet, KQZ: PD 24 orë kohë të plotësojë listat

28/05/2017 00:00

Listat e kandidatëve të PD janë diskutuar për më shumë se 3 orë në mbledhjen e KQZ, ku anëtarët e tij dhe përfaqësuesit ligjor ngritën shqetësimin për mungesat në këto lista, të dorëzuara përtej afatit ligjor pas mesnatës së të premtes.

Mosrespektimi i barazisë gjinore dhe prania e vetëm 94 kandidatëve, në vend të 140, po aq mandate sa i duhen një parlamenti, ka shkaktuar debat mes palëve.

Denar Biba këmbënguli që lista të miratohej të dielën me këtë përbërje sepse ndryshe shkelet çdo afat ligjor.

“Ne kemi detyrim të respektojmë kodin e të garantojmë zgjedhjet. Nuk kemi më kohë dhe as nuk na takon të merremi me manovra politike. PD 94 kandidatura ka sjellë. Le të gjobitet për mosrespektim të ligjit. Unë them që lista është bërë me vetëdije me 94 kandidatë, arsyet përse nuk na interesojnë”, u shpreh  Denar Biba, anëtar i KQZ-së.

“N.q.s ju do të votoni me forcën e kartonit, atëherë unë jap dorëheqjen që sot”, deklaroi kryetari i KQZ, Klement Zguri.

 “Propozoj që PD t’i lëmë 24 orë kohë afat për të plotësuar mungesat në dokumentacion dhe për të bërë korrigjimet e nevojshme”, suigjeroi Gëzim Veleshnja, anëtar i KQZ-së.

Deri të hënën pasdite, PD ka kohë për të bërë korrigjimin e listave të dorëzuara në KQZ, duke nisur nga plotësimi i dokumentacionit bashkë me formularin e dekriminalizimit, e bashkë me to edhe plotësimin e 46 kandidatëve të tjerë për të 12 qarqet e vendit.

Top Channel