Rama: Na duhen votat e demokratëve të arsyeshëm

28/05/2017 00:00

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga Qarku i Elbasanit tha se Partia Demokratike ka dalë nga çadra kundër reformës në drejtësi për tu futur në çadrën e humbësve.

“Kaq ta bësh dhëmbin, thonte Saliu, reformën në drejtësi nuk keni për ta bërë siç doni ju. I patë korrikun e vitit të kaluar. Erdhën. Kartonin jeshil lart dhe kokën poshtë dhe votuan reformën në drejtësi.  Pastaj thanë që nuk keni për ta bërë vettingun sipas Edi Ramës. Erdhën. E votuan vettingun. Shumë gjëra mund të duken të pamundura, por asgjë nuk është e pamundur nëse luftojmë së bashku. Siç votuam për vettingun, do të luftojmë për punësim dhe mirëqenie”, deklaroi Rama.

Nuk i kemi bërë të gjitha gjërat që premtuam, tha Rama në Peqin, por ju kemi dhënë prova që mund t’i bëjmë: “Unë e di që ka akoma më shumë për të bërë, por ama, në 44 muaj nuk mund të bëhet gjithçka që nuk u bë në çerek shekulli. Do të kishim dashur të bënim shumë më tepër, kemi bërë sa kemi mundur, ama ju kemi dhënë provën që me votën tuaj keni pasur në krye një shërbëtor që bën çmos që ju të keni më shumë dhe që të bëjmë më shume na duhet të vazhdojmë me Partinë Socialiste të Shqipërisë”.

Nga Paperi, Rama u kërkoi të gjithëve votat për ta pasur timonin e qeverisë i vetëm, pa u dashur të ketë parti të tjera në prehër.

“Në vitin 2013 kemi marrë një votë për të bërë reformat që kemi bërë dhe për të bashkëqeverisur. Tani duam një votë për të qeverisur për të gjithë së bashku. Ndaj, duam më shumë fuqi dhe dua të më ndihmoni më shumë më votë, në mënyrë që ta mbajmë timonin e reformave pa mbajtur të tjerë në prehër, pa rrip sigurimi”, theksoi Rama.

Votat i kërkoi edhe nga demokratët: “Nuk mjaftojnë vetëm votat e njërës palë. Na duhen gjithë votat e demokratëve të arsyeshëm. Të gjithë njerëzve që dinë ta bëjnë dallimin midis nevojës për një punë të ndershme dhe votës për të punësuar Lulzim Bashën”.

Top Channel