Helmimi, PS: PD të merret me fushatën, jo me teori konspiracioni

28/05/2017 00:00

Partia Socialiste ka reaguar lidhur me ngjarjen e së shtunës ku disa prej simpatizantëve të Partisë Demokratike, përfshirë edhe kreun e kësaj force politike shfaqën shenja helmimi pas mitingut të hapjes së fushatës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Teksa sqaron se janë marrë masat për zbardhjen e ngjarjes, Partia Socialiste i ka bërë thirrje drejtuesve të PD që të mos merren me teori konspiracioni, por të përqëndrohet te çështjet e vërteta të fushatës.

Reagimi i plotë i Partisë Socialiste
“Ditën e sotshme, në orën 5:00 të mëngjesit, drejtori i përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës ishte pranë njerëzve që kërkuan ndihmë për simptomat e shfaqura. Gjysëm ore më vonë, drejtori i përgjithshëm i policisë urdhëroi sigurimin e hapësirës publike ku u zhvillua aktiviteti i mbrëmjes së djeshme dhe hetimet vazhdojnë ende. Pra, institucionet po punojnë dhe të gjithë autoritetet përkatëse ishte gati për të ofruar ndihmesën e vet.

Thënë kjo, ne i bëjmë seriozisht thirrje PD-së që të përqëndrohet te çështjet e vërteta të fushatës dhe të mos merret me teori konspiracioni.

Partia Socialiste i uron shërim sa më të shpejtë të gjithë të lënduarve, dhe veçanërisht liderit të Opozitës. Ne dëshirojmë që ai të bëjë fushatë dhe jo të flasë për konspiracion, gjë e cila tregon se në çfarë gjendje të çoroditur është Partia Demokratike.”

Top Channel