Ahmetaj në Rrogozhinë: Edi Rama, Kryeministri i të gjithë shqiptarëve

28/05/2017 00:00

Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, Arben Ahmetaj ishte në Rrogozhinë, ku ndau me banorët prioritetet kryesore të Partisë Socialiste për programin qeverisës të mandatit të dytë.

Ish ministri i Financave nxorri në pah investimet e bëra nga qeveria, në këtë qytet, si dhe prezantoi projektet e reja, që janë prioritet për t’u realizuar.

Ahmetaj u bëri thirrje qytetarëve të Rrogozhinës, të votojnë Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për një tjetër mandat qeverisës.

“Në katër muajt e punës time me ju, janë gati 9.3 milionë dollarë të investuara në këtë bashki. Projekti i parë janë rrugët hyrëse të qytetit. Kemi projekt për rrugën e Vilbashtovës, e cila është 14 kilometra, e lidh qytetin një herë e mirë me detin dhe e kthen në një destinacion turistik me një bregdet që në fakt është i rrallë dhe fatmirësisht është i padëmtuar, ndaj edhe ne kemi për detyrë ta ruajmë të padëmtuar. Kemi alternativën shumë të qartë! Edi Rama, kryeministri i të gjithë shqiptarëve. E për këtë arsye, shtëpia e shqiptarëve është Partia Socialiste”, tha ish  ministri Ahmetaj.

Top Channel