Fushata, kandidatët e PS në Vlorë. Meta: LSI, forcë e parë

27/05/2017 00:00

Damian Gjiknuri ka prezantuar dy kandidatët për deputetë të PS për Delvinën, përkatësisht Alekt Hysenin dhe Suela Kotolloshin, ku dhe ka komentuar listën e Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës.

“Kemi një ekip serioz që ka lidhje me vendin. Cila është menuja tjetër përballë? Partia Demokratike ka sjellë kandidat Dulen dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Sarandës i cili nuk fiton fare se është i shtati. Pra, ka vënë të tretin të sigurtë Dulen, do të përfaqësojë të gjithë interesat e sarandiotëve Dulja. Imagjinoni se çfarë respekti ka Partia Demokratike për këtë zonë”, tha Gjiknuri.

Klosi: PS, 71 mandate. Jo rikthim te Sali Berisha

Nga Kozara e Kuçovës, Blendi Klosi u bëri thirrje të gjithë banorëve të qarkut të Beratit që t’i japin votën Partisë Socialiste, për të arritur e vetme 71 mandate.

“Gara kësaj radhe është krejtësisht e veçantë, ku çdo parti do të vlerësohet në bazë të votave që ka. Ndaj duhet ta bëjmë çdo orë të qartë sa e rëndësishme është një votë në 25 qershor, sepse mendoni sikur të mos kemi mundësi të mos marrim 71 vota të vetëm. Rikthimi mbrapa te Sali Berisha, do na kthejë Shqipërinë vite dritë mbrapa”, tha Klosi.

Çuçi me banorët e Këlcyrës: PS bën shtet

Bledi Çuçi, në një takim me të rinjtë e FRESSH në Këlcyrë, është ndalur tek reformat e qeverisë që e kanë afruar Shqipërinë me Bashkimin Europian.

“U desh të vinte PS në vitin 2013 që të rilindë edhe njëherë këtë shpresë të madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëvë. Ju i keni ndjekur në këto vite të fundit të gjitha përpjekjet që ka bërë qeveria e PS me Kryeminsitrin Rama për të bërë reformat shtetformuese shumë të rëndësishme që janë parakusht për të hyrë në BE dhe me një këmbëngulje të jashtëzakonshme kemi arritur të hedhim hapat e parë. Kemi demonstruar se dimë të bëjmë shtet, kemi bërë reforma, si reformën territoriale, reformën në arsim, reformën e pensioneve, të gjitha këto shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe së fundmi me këmbëngulje po fillojmë të implementojmë edhe reformën në drejtësi”, tha Çuçi.

Meta në Paskuqan: LSI forcë e parë

Nga Paskuqani, ku u takuan me të rinjtë e kësaj zone, drejtuesit e LSI-së theksuan se kjo parti do të dalë forcë e parë, sepse është e vetmja forcë politike që mbështet të rinjtë. I pranishem në këtë takim ishte dhe ish-kryetari i LSI, Ilir Meta.

“Për të gjithë ju të rinjtë e të rejat, 25 qershori do të mbetet një ditë e lehtë për t’u kujtuar në të ardhmen, jo vetëm për arsyen se ju do të votoni për herë të parë në jetën tuaj, por edhe për një arsye tjetër, sepse do të nxirrni LSI-në forcë të parë si një mundësi historike për t’ju dhënë shansin të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë”, tha Meta.

Top Channel