Lulzim Basha e hapi fushatën elektorale në të njëjtin vend ku qëndroi për 90 ditë, çadra e protestës për zgjedhje të lira e të ndershme. Ishte vendi dhe koha e duhur për të dhënë një shpjegim për përjashtimin e disa themeluesve dhe ish-drejtuesve të Partisë Demokratike.

“Kam marr vendime të vështira, por jo të papritura. Këtu në këtë kemi thënë se ndryshimi do të fillojë nga vetja jone, nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë”, tha kreu i PD-së.

Lulzim Basha iu përgjigj kritikëve edhe për listën e re, kur e cilësoi si me përfaqësinë e shoqërisë.

“Çfarë ka vendos kështu Lulzim Basha. Po, po kjo është ‘Republika e re’, 2 profesorë në krye të 2 qarqeve në Shkodër dhe Korçë”, tha Basha.

Megjithatë, Basha beson se me ndryshimet kushtetuese, pjesë e marrëveshjes me Ramën, deputetët do të zgjidhen direkt nga qytetarët.

“Ju premtoj kjo është hera e fundit që një kryetar partie vendos listën e deputetëve se herën tjetër e vendos qytetari”, tha Basha.

Për herë të parë Basha adresoi kritikat që e shohin karrierën e tij si dhuratë dhe jo si pasojë e kontributeve në Partinë Demokratike. Ai përmendi si dy mundësitë e mëdha të jetës studimet me vlerësimet më të larta jashtë vendit dhe afrimin në Partinë Demokratike në 2005.

“Mundësitë që m’u dhanë u jam përgjigjur me punë dhe sakrificë, me sensin më të lartë të shërbimit. Asgjë në jetë nuk me erdhi falas. Gjithçka ishte produkt i mundësisë dhe hapjes dhe i punës sime. Kjo është e vërteta ime”, u shpreh kreu i PD.

Me sloganin e fushatës “Ekonomi e fortë, e ardhme e sigurt”, Basha ftoi qytetarët ta mbështesin për ndërtimin e Republikës së re.

“U premtoj sot se në Republikën e re dora ime si kryeministër do të shtrihet ndaj çdo kujt që punon për shqiptarët dhe interesin e shqiptarët. Le të ndërtojmë së bashku “Republikën e re”, tha Lulzim Basha.
 

Top Channel