Skëndërbeu-Partizani, policia publikon masat për mbarëvajtjen

26/05/2017 00:00

Policia e Korcës ka marrë masa për zhvillimin normal të ndeshjes së futbollit Skëndërbeu-Partizani, që luhet të shtunën në stadiumin e qytetit.

Përmes një njoftimi për shtyp, drejtoria lokale e policisë bën me dije se ka marrë një sërë masash organizative për një ecuri sa më të qetë para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Masat e marra nga policia:

1. Duke filluar nga ora 12:00, datë 27.05.2017 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth stadiumit “Skënderbeu”. Gjithashtu, nuk do të lejohet lëvizja apo parkimi në rrugën drejt Pallatit të Sportit, në shëtitoren “Rilindasit” dhe përpara hyrjes qendrore të stadiumit.

2. Shërbimet e Policisë Rrugore do të bllokojnë rrotullimin dhe lëvizjen nga vendi i quajtur “Lëndina e Lotëve” në bulevardet “Republika” dhe “Gjergj Kastrioti”.

3. Duke filluar nga ora 15:00 do të merren masa për paralajmërimin dhe mbylljen e lokaleve dhe pikave të shitjes ambulante që kryejnë aktivitet përreth Stadiumit, apo në lulishtet pranë tij.

4. Në kryqëzimet dhe bulevardet kryesore të qytetit do të ketë shërbime të shtuara policie për të shmangur bllokimin e trafikut të qytetit.

5. Në lidhje me ndeshjen do të angazhohen në total 235 punonjës policie, si dhe do të jenë në përdorim 24 mjete policie.

6. Do të ndalohet përdorimi i pijeve alkoolike, shisheve të qelqit, fishekzjarreve, shashkave zhurmuese e tymuese, materialeve të tjera piroteknike, si dhe mbajtja e çelësave, çakmakëve, monedhave metalike dhe objekteve të tjera të forta të ndaluara në mjediset e stadiumit.

7. Qytetarët të cilët janë pajisur me biletë duhet të marrin masa për paraqitjen në ambjentet e stadiumit përpara fillimit të ndeshjes, duke llogaritur dhe kohën e procedurave të kontrollit.

Top Channel