Janinë, kapen 89 kg kanabis. Arrestohen 5 anëtarët e organizatës

26/05/2017 00:00

Autoritetet greke kanë shkatërruar një organizatë që tregtonte kanabis nga Shqipëria në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian, nëpërmjet Greqisë.

Sipas Departamentit të Antidrogës së Atikës, gjatë një operacioni të zhvilluar në Janinë u janë vënë prangat 5 anëtarëve të fundit të organizatës, duke e çuar në total në 17 vetë numrin e të arrestuarve gjatë muajve të fundit.

Mësohet se koka e organizatës është një 49-vjeçar shqiptar, ndërsa ajo përbëhej nga shtetas grekë dhe shqiptarë.

Antidroga e Athinës deklaroi se kishte filluar hetimet për këtë organizatë që prej disa muajve, e mundi ta shkatërrojë atë në disa faza, duke sekuestruar në 5 operacione të ndryshme të zhvilluara muajt e fundit, 654 kilogramë kanabis në total.

Prej hetimeve disamujore rezultoi se lënda narkotike dërgohej nga kufiri shqiptar në drejtim të Janinës, ku dhe magazinohej në një rulotë, e në vazhdim dërgohej në drejtim të Athinës me vetura të anëtarëve të organizatës. Ajo dorëzohej në një magazinë në periferi të Athinës, prej nga ku dërgohej drejt vendeve europiane me kamionë të transportit ndërkombëtar.

Besohet se organizata ka përfituar qindra mijë euro nga ky aktivitet.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 12.270 euro, disa celularë, 150 gramë vaj hashashi, 3 autovetura që shërbenin për transportin e lëndës narkotike dhe materiale që shërbenin për ambalazhimin e lëndëve narkotike.

Të arrestuarit u dërguan në Gjykatën e Janinës, e cila vendosi masë sigurie me burg deri në përfundim të hetimeve.

Top Channel