Fiks Fare, ekspertë pa licencë në gjykatë për aksidentet

26/05/2017 00:00

Fiks Fare ka denoncuar mbrëmjen e së premtes sesi në prokurori dhe gjykatë merren ekspertë për aksidentet automobilistike, ndërkohë që licencat për ta janë pezulluar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës që në vitin 2008.

Në Fiks Fare erdhi një ankesë pikërisht për këta ekspertë, pasi sipas një urdhri të lëshuar që në vitin 2008 nga ish-ministri i Transporteve, licencat për ta janë shfuqizuar, por deri më sot ata kanë vijuar të paraqiten me licencat e vjetra dhe askush nuk e ka ngritur zërin për këtë urdhër, edhe pse ndonjëherë këto ekspertiza mund të jenë të dyshimta.

Qytetari Leonard Martiniani ankohet se më 20 dhjetor të vitit 2014, i biri është aksidentuar në autostradën Tiranë-Durrës me motor, ku për pasojë ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe i paralizuar, ndërsa pasagjeri ka ndërruar jetë. Pas kësaj, ndaj të birit, Serxho Martiniani, prokuroria ka ngritur akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke u bazuar në ekspertizën e ekspertit Artur Sulçe. Eksperti ka dalë në konkluzion se drejtuesi i motorit ka thyer rregullat e qarkullimit rrugor, duke ecur me shpejtësi 160 km në orë. Por, kjo ekspertizë është kundërshtuar gjatë gjykimit në dy drejtime.

Sipas ankuesit, e para është falsifikuar akti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, pasi ndryshojnë matjet që janë bërë në aktin e parë të ekspertimit nga ana e oficerit të policisë me atë të realizuar më vonën nga eksperti Artur Sulçe.

Së dyti, mbrojtja ka kundërshtuar edhe ekspertin në gjykatë, pasi sipas të dhënave ai nuk ka licencë, pasi licencat janë pezulluar që në vitin 2008 me urdhër të ministrit të transporteve. Gjithsesi këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga gjykata, që sipas ankuesit e ka cilësuar ekspertin të licencuar dhe ka pranuar ekspertizën e kryer prej tij. Për këto arsye ka vendosur që Serxho Martiniani, pavarësisht se është i paralizuar të dënohet me burg.

Pas ankesës së qytetarit, Fiks Fare verifikoi dokumentet mbi të cilat është marrë ky vendim i gjykatës, që tashmë ka marrë formën e prerë në Gjykatën e Lartë dhe familja e të dënuarit ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Gjatë seancës gjyqësore, mbrojtja ka kërkuar licencën e ekspertit Artutr Sulçe, por ky i fundit ka shpjeguar se nuk ka licencë, pasi ato janë hequr prej disa vitesh.

Për të mësuar më shumë për licencat e ekspertëve për sigurinë rrugore ne u interesuam pranë Ministrisë së Transporteve dhe udhëzimi i dalë në vitin 2008 deklaron që “modeli 114 për licencë për kompetencë profesionale në fushën e transportit dhe sigurisë rrugore” shfuqizohet. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës tha që ky udhëzim mbetet në fuqi dhe se nuk ka ndryshuar deri më sot.

Por, ky udhëzim duket se ka mbetur në hije, pasi ende, si prokuroria ashtu dhe gjykata nuk e kanë vënë në zbatim. Sipas Kodit të Procedurës Penale, në nenin 180 deklarohet se nuk mund të kryejë detyrën e ekspertit ai që është pezulluar, qoftë edhe përkohësisht, nga detyrat publike ose nga ushtrimi i një profesioni.

Kjo është kërkuar nga mbrojtja në gjykatë, duke parë pikërisht që Artur Sulçe ka paraqitur licencën nr. 8 të vitit 2007, pra një licencë të pezulluar me udhëzimin e vitit 2008, por gjykata e ka rrëzuar kërkesën e avokatit.

Po ashtu, i gjithë diskutimi i bërë në seancë gjyqësore për licencat e ekspertëve nuk është pasqyruar as në procesverbalet e transkiptimit. Në momentin kur eksperti deklaron se nuk ka licencë, në transkiptim shënohet vetëm fjala eksperti “shpjegon”, pa marrë parasysh se ekspertët autoteknikë nuk kanë licencë. Madje, edhe pse ai pranon se nuk ka më licenca, gjykata sërish ka deklaruar në vendimin e saj se eksperti është i licencuar.

Pika e dytë e kundërshtuar nga familjarët është akti i ekspertimit, i cili deklarohet se është falsifikuar. Fiks Fare arriti të gjejë dy aktet e ekspertimit, atë të bërë me shkrim dore në vendin e ngjarjes dhe atë të realizuar nga eksperti. Eksperti deklaron se për të kryer aktin e ekspertizës i është referuar një akti me shkrim dore. Por, në aktin e ekspertizës me shkrim dore dhe në atë të realizuar nga eksperti, ka një ndryshim të një pike referuese, pikërisht pikës 8.

Në aktin me shkrim dore, pika 8 është më afër sesa trafikndarësja e betonit e dalë në rrugë. Kurse në aktin e ekspertit Sulçe, që është bazuar prokuroria dhe gjykata, pika 8 është më larg kësaj trafikndarëse. Kjo distancë e krijuar nga ndryshimi i pikës 8 në ekspertizën e ekspertit, ka rritur distancën e vendit të ngjarjes me afërsisht 12 metra linear.

Respektivisht, rritja e kësaj distance, ka rritur shpejtësinë e motorit në momentin e përplasjes dhe duke iu referuar skemës së ekspertit, shpejtësia e motorit para aksidentit ka dalë 160 km në orë. Për këtë arsye, Fiks Fare kërkoi të kontaktojë edhe me ekspertin, Artur Sulçe, por ai tha se i qëndroj atyre që kam thënë në gjykatë dhe nuk kam asgjë për të shtuar.

Gjithsesi këto fakte janë marrë të mirëqena nga gjykata, e cila ka vendosur të dënohet me burg shkaktari i aksidentit, duke i konsideruar me rrezikshmëri, pavarësisht se ka mbetur i paralizuar.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel