Biznesi nuk merr kredi, faji tek burokracia dhe kreditë e këqija

26/05/2017 00:00

Rënia e kredisë për biznesin ka hapur mes ekspertëve debatin se pse ekonomia ka hyrë në këtë ngërç.

“Arsyeja e parë e mungesës së interesit të biznesit për të marrë kredi, është paaftësia e biznesit për të investuar, për shkak të mungesës së zonave industriale dhe për shkak të procedurave tepër burokratike për të arritur në finalizimin e një investimit”, shprehet  Alban Zusi.

Në dy vitet e fundit, kredia për sipërmarrjen ka rënë me 25 miliardë lekë. Elvin Meka, i cili drejton revistën “Bankieri”, thotë se edhe bankat kanë një arsye të fortë për të qenë më dorështrënguara me biznesin

“Kemi një stok të madh të kredive të pakthyera në afat, e cila për fat të keq vjen pikërisht nga ndërmarrjet. Dhe kjo i bën bankat të shtrëngojnë standardet e kredisë për sa i përket biznesit të madh”, thotë Meka.

Sipas tij, veç hezitimit të bankave, edhe periudha zgjedhore ka ndikimin e saj. Por çfarë ndodh kur biznesi nuk merr kredi?

“Nëse biznesi heziton të marrë para nga kredia atëherë ai nuk rritet dhe në një vend ku nuk ekziston dhe bursa apo ndërmjetësit e tjetër financiar atëherë kredia mbetet një instrument i rëndësishëm”, thotë Arben Malaj.

Veç kësaj, rënia e kredisë zyrtare mund të nxisë huatë informale. Por si mund të dilet nga ky qerthull negativ për ekonominë?

“Bankat tregtare duhet të kuptojnë se pa një ekonomi të zhvilluar nuk mund të ketë banka të suksesshme dhe që ekonomia të jetë e zhvilluar ajo ka nevojë për shumë reforma strukturore që duhet t’i bëjë qeveria, por njëkohësisht do dhe burime financiare që të rritet”, shprehet Malaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA