Autoritetet shtetërore maqedonase i kanë kërkuar ambasadores serbe në Shkup që të shpjegojë praninë e këshilltarit të kësaj Ambasade, Goran Zhivaljeviç, në sulmin e dhunshëm brenda Parlamentit maqedonas mbrëmjen e 27 prillit.

Zhivaljeviç është njëkohësisht oficer i Shërbimit serb të Zbulimit, “BIA”. Pa e dhënë ende shefja e misionit diplomatik sqarimin e saj, në mbështetje të agjentit serb doli kryeministri Aleksandar Vuçiç, i cili u shpreh pas një takimi të shkurtër me Zoran Zaev në Bruksel se, Zhivaljeviç nuk ka kryer ndonjë vepër penale me praninë e tij në turmë, “pasi kjo është detyra e tij”.

Komente të ngjashme ka bërë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili pretendon se “këshilltari i Ambasadës ka qenë aty për të parë nëse në ato zhvillime ishin përfshirë edhe shtetas serbë”.

Oficeri i “BIA”-s e ka konfirmuar dhe vet praninë në Kuvend dhe justifikohet duke thënë se ishte detyra e tij të shikonte nëse në incident janë përfshirë pjesëtarë të pakicës serbe.

Televizioni maqedonas “TV Telma” thekson se, Zhivaljeviç është fotografuar në sallën e Parlamentit, së bashku me deputetët e VRMO-DPMNE-së, ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe demonstrues të ndryshëm.

Zaev shpreson në një përgjigje të shërbimeve përkatëse mbi rolin e këtij agjenti në incidentin e përgjakshëm të 27 prillit. Marrëdhëniet midis autoriteteve më të larta serbe dhe kryeministrit të mandatuar maqedonas nuk janë nga më të mirat.

Zaev e ka kritikuar shpesh nëpër intervista presidentin e zgjedhur serb, për një qasje nacionaliste dhe përpjekje për të mbjellë frikë në Serbi, pas asaj që po i ndodhte Maqedonisë me fitoren e socialdemokratëve. Ndërsa Vuçiç e ka akuzuar Zaevin për deklarata, të cilat gërryejnë – sipas tij, – marrëdhëniet Shkup-Beograd.

Top Channel