Veliaj: Rrugët e reja, rritje e vlerës së pronës

25/05/2017 00:00

Një tjetër lagje në kryeqytet ka tashmë rrugë, trotuare, lulishte dhe hapësira çlodhëse e argëtuese për fëmijë. Bashkia e Tiranës ka përfunduar fazën e parë të rikualifikimit urban të bllokut të banimit që shtrihet përgjatë rrugës “Vllazën Huta” dhe “Beqir Luga” pranë Ministrisë së Jashtme.

“Zona pas Ministrisë së Jashtme ka qenë një ndër zonat më problematike, tejet e banuar, me shumë ndërtime informale, legalizime e hipotekime të ndodhura ndër vite, çka e bëjnë infrastrukturën jashtëzakonisht problematike. Ne jemi ende në proces të disa shpronësimeve. Ju e dini fare mirë që procedurat marrin kohë, megjithatë kemi bërë maksimumin dhe vera na kapi me një investim kapilar në të gjithë zonën”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se ashtu si edhe në të gjitha investimet e tjera që ka bërë Bashkia e Tiranës, edhe në këtë lagje ky ndryshim do të sjellë rritje të vlerës së pronës si një përfitim direkt për qytetarët.
 “Falenderoj të gjithë ata që kanë bashkëpunuar, sepse kam kuptuar që tërheqja 1 metë ose 2 metër për të lejuar një trotuar, përveçse ka dobi për zonën, mbi të gjitha ka rritur vlerën e shtëpisë së tyre. Një shtëpi me trotuar, me asfalt, me ndriçim, me gjelbërim, është një shtëpi që ka më shumë vlerë sesa një shtëpi, e cila refuzon të bashkëveprojë me rregullat e kryeqytetit dhe pas legalizimit, bëhet totalisht radikale kur vjen puna për të toleruar ndaj disa ndryshimeve”, u shpreh më tej kryebashkiaku.

Ai shtoi se Njësia 2 është një nga përfitueset më të mëdha të investimeve të Bashkisë së Tiranës, pasi aktualisht është duke u punuar në disa blloqe të mëdha njëkohësisht.

“Në këto dy vjet në Njësinë 2 kemi investuar më shumë se  në dy dekada të marra bashkë. Përveç investimeve madhore, kemi ndërhyrë në nivel kapilar, si Te blloku mbas ATSH-së, te blloku pas Ambasadës Amerikane, blloku tjetër në Sauk etj. Pra, nga 50 blloqe ku po punojmë në Tiranë, 6-7 prej tyre janë vetëm në Njësinë 2. Ndaj dua t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve t’i mirëmbajnë, që pastaj të inkurajohemi e të punojmë më shumë”

Top Channel