Luan Rama: Marrëveshja PS-PD penalizon partitë e vogla

25/05/2017 00:00

Pasi bëri një rezyme të qëndrimit të LSI-së gjatë krizës dhe pas marrëveshjes Rama-Basha, nënkryetari i kësaj force politike, Luan Rama u ndal tek fakti që marrëveshja nuk parashikon koalicionet.

“Sot në Shqipëri nuk ka më opozitë dhe jemi të gjithë në të njëjtin nivel dhe jemi përballë sfidës për të provuar forcën elektorale. Marrëveshja ka një problem që pa të drejtë penalizon partitë e vogla, penalizon edhe mundësinë e koalicioneve që është një kufizim i së drejtës”, thotë Rama.

Duke folur në Top Story me Sokol Ballën, nënkryetari i LSI-së thotë se marrëveshja duhet të rihapte mundësinë për koalicionet.

“Përderisa u shkel ligji për të rihapur një mundësi që të regjistroheshin subjektet, duhej të shkohej tek krijimi i kushteve të barabarta që gjithsecili të gjente veten në raport me elektoratin”, deklaroi ai.

Megjithatë, Luan Rama u shpreh optimist për rezultatin e forcës së tij politike më 25 qershor.

“Kemi bindjen që rezultati do të jetë spektakolar dhe kjo lidhet me faktin që pas 27 vitesh krize, sa herë palët kanë bërë rrotacion pushteti, kanë bërë edhe rrotacion krize. Përsa kohë kjo ka ndodhur edhe në vendet e tjera të Europës, në Greqi dhe Itali ka ardhur koha që edhe shqiptarët ta prishin monopolin dypartiak”, u shpreh ai.

Duke u rikthyer tek marrëveshja mes dy partive të mëdha, Luan Rama tha se absurdi këtu është edhe dekretimi i Presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, që sipas tij, është bërë pa asnjë bazë ligjore, por vetëm në bazë të marrëveshjes politike.

Top Channel