“Fiks Fare”, ALUIZNI dhe Hipoteka “gjobisin” qytetarët

25/05/2017 00:00

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së enjtes përplasjen e dy institucioneve, Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave e Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) dhe Hipotekës, në lidhje me gjobat 300 mijë lekëshe që duhet të paguajnë qytetarët.

Një udhëzim i përbashkët, pas memorandumit të bashkëpunimit mes kreut të Hipotekës dhe të ALUIZNI-t, bie ndesh me ligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Udhëzimi për procedurat e regjistrimit dhe lëshimit të certifikatës së pasurisë të legalizuar ka sjellë një përplasje mes dy institucioneve, por ata që e vuajnë në kurriz janë qytetarët.

ALUIZNI nuk i ka njoftuar në kohë se ka dalë leja e legalizimit dhe u ka çuar dosjen në hipotekë. Nga ana tjetër, Hipoteka ka filluar të aplikojë gjobat për vonesën e regjistrimit të pronës, të cilat shkojnë deri në 300 mijë lekë.

Mësohet se, në të gjithë Shqipërinë numërohen me mijëra raste, ku institucionet shtetërore “gjobisin” qytetarët.

Ankesa e parë

Në emisionin “Fiks Fare” erdhën disa raste. Një qytetar që jeton në Angli ankohet se i ka dalë leja e legalizimit që në vitin 2013, por ALUIZNI e ka njoftuar një vit me vonesë. Ai thotë që gjobën duhet ta paguajë ALUIZNI dhe jo ai si qytetar, sepse vonesa ka ardhur nga ALUIZNI.

Mirvjena Xhema, drejtoresha e ALUIZNI-t të Tiranës, pranon se qytetari ka marrë dijeni një vit me vonesë dhe zyrtarisht ka të drejtë të bëjë aplikimin pranë Hipotekës. Sipas saj, data kur ai ka firmosur është edhe data që i njihet zyrtarisht.

“Ne kemi vënë në dijeni Hipotekën për kohën kur është vënë në dijeni qytetari dhe se nga ajo datë duhet edhe të merret parasysh. Por nga ata nuk është kthyer asnjë përgjigje”, thotë ajo.

“Fiks Fare” i kërkoi informacion edhe Hipotekës, e cila thotë se në bazë të ligjit “për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, Hipoteka nuk e ka tagrin për të bërë përjashtime në lidhje me kërkesat për regjistrim dhe nuk mban përgjegjësi për vonesat në aplikim.

Pra ky qytetar, pavarësisht se nuk ka përgjegjësi për lajmërimin me vonesë nga ALUIZNI, në momentin që është paraqitur pranë Hipotekës për të bërë regjistrimin ka marrë vesh për gjobën që i është vënë. Edhe nëse do t’i falej periudha për të cilin faji është i ALUIZNI-t, ai sërish është me një vit vonesë për shkak të mosaplikimit në kohë nga ana e tij.

Ankesa e dytë

Një qytetar nga Saranda ankohet se Hipoteka i ka kërkuar 300 mijë lekë në formë gjobe, për të regjistruar pronën e motrës së tij. Arjan Rexhepi thotë se bëhet fjalë për një banesë njëkatëshe në Sarandë. Ai kërkon ta rregullojë, por nga bashkia i thonë se duhet të ketë hipotekë.

Ai ka shkuar në Hipotekë dhe i kanë thënë se duhet të paguajë një gjobë prej 300 mijë lekësh, pasi nuk është paraqitur në kohë për regjistrimin e kësaj pasurie. Më pas ka shkuar tek ALUIZNI Sarandë dhe i kanë thënë se leja e legalizimit i kishte dalë në vitin 2013.

Arjani thotë se motra e tij nuk është njoftuar asnjëherë për këtë leje. Madje pretendon se ka edhe një VKM dhe më pas udhëzim, ku thuhet se “Kërkesat për regjistrim, të paraqitura nga ALUIZNI…përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi konsiderohen të mirëqenë. Në rast se nga regjistruesit nuk janë kryer procedurat e regjistrimit, ato vijojnë menjëherë”.

Më pas, ai ka paditur në gjykatë Hipotekën e Sarandës, duke i kërkuar regjistrimin e kësaj pasurie, me pretendimin se nuk ishte njoftuar në kohë për lejen e legalizimit, apo edhe se preket nga kjo VKM. Ka fituar në Gjykatën Administrative të Sarandës, por Hipoteka e ka apeluar dhe do të duhen disa vite para se kjo çështje të shqyrtohet.

Arjani i ka dërguar edhe një letër Zyrës qendrore të Hipotekës, ndërsa thotë se, si ky rast janë me mijëra në të gjithë Shqipërinë.

ALUIZNI vs Hipoteka

“Fiks Fare” u interesua pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Merita Qato, drejtoresha juridike thotë se është vënë në dijeni të rastit të dytë. Ajo thotë se Hipoteka vepron në bazë të ligjit “për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, ku janë të detajuara edhe rastet kur subjektet marrin gjobë.

Në lidhje me udhëzimin dhe VKM-në thotë se zbatohen nga zyrat e Hipotekës, por prioritet është pikërisht ligji, pasi Hipoteka është institucion i auditueshëm nga institucione të tjera. Sipas saj, një zgjidhje do të ishte që zyrat e ALUIZNI-t të tërhiqnin edhe njëherë të gjitha rastet me të tilla probleme, e më pas ALUIZNI të riaplikonte, pasi në këtë rast hiqet edhe gjoba.

Për rastin e zonjës Elona Rexhepi, Qato tha se i ka dërguar një shkresë Zyrës vendore të Hipotekës Sarandë, duke i kërkuar të tërhiqen nga apelimi.

Pas këtij pretendimi, gazetarët e “Fiksit” intervistuan edhe përgjegjësen e sektorit juridik të ALUIZNI-t, Lindita Kareco. Ajo shpjegon se zyrat e ALUIZNI-t zbatojnë ligjin, ndërsa problem janë rastet kur zyrat vendore nuk i kanë lajmëruar në kohë subjektet.

Sipas saj, rasti i zonjës Elona Rexhepi nuk preket nga udhëzimi i 31 majit të vitit 2016. Sipas saj, ai udhëzim i dalë nga ALUIZNI dhe Hipoteka prek vetëm dosjet nga data 1 janar 2016 deri në qershor 2016. Kareco thotë se ky udhëzim është keqinterpretuar, pasi nuk do të thotë se “merren të mirëqena” rastet para datës 1 janar 2016.

Ajo shton se ato raste prekeshin nga ligjet dhe udhëzimet e kohës, si të tilla duhet që të paguanin gjobën. Por pohon se problematikë e madhe janë rastet kur qytetarët nuk janë njoftuar. Tani thotë se kjo problematikë është sheshuar, pasi kanë dalë VKM dhe udhëzime, ku ALUIZNI aplikon te zyrat e Hipotekës në emrin e qytetarit.

Sipas saj, duhet një bashkëpunim mes dy institucioneve, mundësisht mes dy titullarëve, që të nxjerrin udhëzime dhe të rregullojnë këtë problematikë.

“Fiks Fare” e përgatiti këtë temë para marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Në atë kohë, titullar i Hipotekës ishte Ilirian Muho, i zgjedhur nga LSI-ja, ndërsa titullar i ALUIZNI-t ishte Artan Lame, i zgjedhur nga PS-ja. Tashmë, të dyja këto institucione do të drejtohen nga drejtorë që do t’i zgjedhë PD-ja, të paktën deri në shtator. Dhe duke qenë nga e njëjta parti, këta drejtorë mund të gjejnë një zgjidhje për këtë problematikë, duke u takuar, apo nëpërmjet shkresave.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA