Durrës, pishinë e re publike funksionale

25/05/2017 00:00

Tashmë Durrësi ka një pishinë publike funksionale me një kompleks të mirëfilltë sportive, ambiente clodhëse dhe argëruese, pas një rikonstruksioni total. Teksa pa nga afër ambjentet e reja të pishinës, kryeministri u takua me disa notarë, të cilët shprehën kënaqësinë për faktin se tashmë mund të stërviten në kushte optimale.

Kreu i qeverisë tha se së shpejti do të nisë ndërtimi i pishinave olimpike edhe në në qytete të tjera.

“Ke vizionin më të bukur, ke qënë zemra e rinisë durrsake”, i thotë një prej sportistëve.

“Ky është kampion i të rinjve të dhe të rriturve dhe gjithë pjesa tjetër janë rekordmenë.” tregoi trajneri për një nga të rinjtë, i cili mbante rekordin në garën e 800 metrave”

I shoqëruar nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, kryeministri pa nga afër edhe punën në terren për shndërrimin e rrugës “Pavarësia” në Durrës, në një rrugë me standarte të larta në infrastrukturë.

Projekti parashikon rikualifikimin e hapësirave në të dy anët e saj, sistemimin e rrugëve dalëse në plazh, ripërcaktimin e hapësirës publike dhe reduktimin e trafikut të rënduar.

“Rruga autostradë nuk është më. Është kthyer në një rrugë urbane. Trafiku do të jetë i limituar. Kamionë nuk do ketë më fare në lëvizje, por edhe ata që shkojnë për në Jug nuk do kalojnë më nga kjo rrugë, por do t’i bien nga autostrada. Kjo do të jetë një rrugë me destinacion vetëm për zonën e plazhit”, tha kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

“Këto rrugë janë të domosdoshme kështu me trafik të limituar në këto zona ku ka turizëm dhe ka intensitet, pavarësisht se njerëzit nuk e kuptojnë dhe thonë duhet bërë rruga më e gjerë. Është transformim i madh, pasi i jep një hapësirë të ndërmjetme që e lidh gjithë komunitetin me të dyja anët e rrugës, me një hapësirë komunikimi. Nuk është thjesht një lumë në mes, me makina, që duhen kapërcyer për të kaluar nga ana tjetër, por ka goxha hapësirë për njerëzit”, u shpreh kryeministri Rama.

Top Channel