Rama paralajmëron PD-në: Pa vetting, prishet pakti

24/05/2017 00:00

Kryeministri Rama paralajmëroi Partinë Demokratike për rëndësinë e realizimit të procesit të vettingut.

“Nëse PD nuk do ta zhbllokojë brenda majit vettingun, marrëveshja është e prishur. Vettingu është arsyeja themelore përse ne bëmë marrëveshjen. Brenda majit, deputetët e shumicës dhe të opozitës duhet të zgjedhin në listën e ekspertëve që është verifikuar nga ONM, anëtarët e dy komisioneve të vettingut”, tha Edi Rama.

Burime pranë kryeministrit thanë për Top Channel se, deri më tani nuk ka asnjë problem me zbatimin e marrëveshjes, por kryeministri mbajti këtë qëndrim pas një deklarate të Sali Berishës se “vettingu nuk do të bëhet me drejtorët e Edi Ramës”, një proces ky që nis pas ngritjes nga Parlamenti të organeve të vettingut.

Rama shpjegoi marrëveshjen me opozitën, duke thënë se ata janë në qeveri për t’u garantuar për zgjedhjet.

“Qeveria është aty, për të garantuar sot zgjedhjet, që ata të mos dalin më 26 qershor e të thonë se ua vodhën, ua morën, ua hëngrën, ua grabitën, sepse ata do të kishin fituar, e të tilla gjëra”, tha Rama.

Rama foli edhe për ankesat që vijnë nga partitë e vogla në lidhje me marrëveshjen me opozitën. Kryetari i Partisë Socialiste përmendi sërish kërkesën për 71 mandate.

“Këto fytyra që kanë çerekshekulli, që e luajtën mendsh këtë popull, në datën 25 duhet të marrin pergjigje nga i gjithë ky popull. Ne duam timonin e qeverisë, pa njerëz në prehër, pash nderin. Mendoj se ne jemi sot në një moment historik, totalisht historik. Ka mbaruar pjesa e parë e ndeshjes e jemi në avantazh. Tani kemi ndeshjen e kthimit. Doni që ta mbyllim me fitore për të gjithë shqiptarët? Doni që në pjesën e dytë të ndeshjen të luftojmë për të rritur ekonominë dhe punësimin, siç luftuam për vettingun? Provën e keni”, tha Edi Rama.

Top Channel