Kryeparlamentari Talat Xhaferi, edhe pse ende në përshtypjet e incidenteve që sollën dhunë në Kuvend, në zyrën e tij thotë se është i bindur që kthimi i pushteteve në institucione do të hapë një rrugë të re. Pas propozimit për seancë, Kuvendi ka 15 ditë mundësi për të vendosur ditën e votimit. Kjo, megjithatë, pritet të vendoset deri në fund të javës.

“Jemi të gatshëm dhe të aftë që të udhëheqim dhe menaxhojmë me institucionet qëndrore shtetërore, me kapacitetin e plotë, me atë çfarë nënkupton funksionimin institucional i institucionit përkatës, e jo me ndikime politike, siç ka ndodhur në praktikë në të kaluarën”, u shpreh Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Partitë shqiptare dhe ato maqedonase pritet të kenë numrin e afërt të ministrive që kanë patur. Shqiptarëve si ministri e re pritet t’u takoj ajo e shëndetësisë. Por, plani i plotë dhe përbërja nuk janë vendosur ende.

Muhamet Zekiri, I LSDM-së së Zoran Zaev, thotë se nuk ka probleme, por vetëm diskutime rreth mënyrës se si do të qeveriset.

“Të funksionojmë si qeveri unike dhe të mos veprojmë si në të kaluarën. Që partitë maqedonase kujdesen për një pjesë të qytetarëve dhe partitë shqiptare për shqiptarët”, u shpreh Muhamet Zekiri, Deputet i LSDM-së.

Por qeveria e re, pa lëvizjen Besa, do të ketë mbështetjen e 62 deputetëve, një më shumë se maxhoranca minimale. Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje thonë se nuk e kanë vendosur nëse do të jenë apo jo në qeveri. Ata i kanë nisur kërkesat e tyre tek partia më e madhe dhe marrëveshjen për qeverisje e duan në letër.

“Ne po duam që të vendosim një standard të ri, që asnjë prej partnerëve të qeverisë së ardhshme, të mos marrë asnjë vendim pa dakordësinë e partnerëve të tjerë në atë qeveri”, u shpreh Zeqirija Ibrahimi i “Lëvizja Besa”

Kriza disa vjeçare pati bllokuar Shkupin, fillimisht për shkak të protestave kundër qeverisë, e më pas refuzimit të partisë në pushtet për ta kaluar mandatin te pasardhësit.

Top Channel