Gjiknuri: Konsolidimi i shtetit sjell investimet dhe punësimin

24/05/2017 00:00

Drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim elektoral me banorët në njësinë administrative të Orikumit, ku kandidon për deputet në listën e Partisë Socialiste, Edmond Leka.

Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri u ndal tek reformat e ndërmarra nga qeveria në këto katër vite për konsolidimin e shtetit çka i ka hapur rrugën edhe investimeve.

“Reformat kanë qenë të vështira. Në kyerjen e reformave mund të kemi bërë edhe gabime por kemi bërë mbi të gjitha shumë të mira. Ai slogani ‘shtet’ nuk është rastësor. Shqipëria duhet ta fillojë nga shteti sepse pa shtet nuk ka as investime, as punë e as mirëqenie. Shikoni të gjitha investimet që janë bërë në Vlorë, nuk janë rastësi por gjithçka vjen nga një dashuri për këtë vend dhe për ti kthyer Vlorës mbrapsht atë që i ka dhënë historisë”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej, ju referua investimeve në energjitike me nënstacionin e ri dhe rrjetin 20 kV, fillimin e punës për Rrugën e Lumit të Vlorës dhe të tjera investime në bregdet që syrnojnë ti japin Vlorës të ardhmen e zhvillimit turistik.

“Shumë investime të tjera në bregdet, me qëllimin e qartë që turizmi shqiptar dhe Vlora që ka potencialin më të madh turistik, të ketë mundësi të zhvillohet pasi vetëm kështu mund të vijë mirëqenia. Nuk vjen mirëqenia thjesht nga disa politikanë që ofrojnë vende pune. Kësaj rradhe kandidojmë të vetëm, kësaj rradhe duam ta marrim qeverisjen e plotë dhe jo më me lloj lloj partish. Votat çojini tek Partia Socialiste”, nënvizoi Gjiknuri.

Kandidati Edmond Leka u ndal tek reforma në drejtësi dhe ndikimi që pritet të ketë ajo edhe për zgjidhjen e problemit të pronave.

“Ajo reformë nesër do ta japë më shumë të drejta, më shumë ligj e drejtësi për të gjithë. Për ju që e keni vuajtur problemin e madh të tokave, sistemi i ri i drejtësisë do të vërë në vend atë që ju meritoni, tu kthejë pronat dhe ato që keni humbur e jua kanë marrë me pa të drejtë”, u shpreh Leka.

Kryetari i Partisë Socialiste të Vlorës Anduel Tahiraj ftoi qytetarët e Orikumit të mbështesin masivisht këtë forcë politike në 25 Qershor. “Banorët e Orikumit, të gjithë qytetarët e Vlorës do të dinë të zgjedhin dhe do të zgjedhin Partinë Socialiste. Kandidatët për deputetë, Kryeministri jonë, deputeti Edi Leka që është biri juaj, drejtuesi politik që është nga ministrat më të suksesshëm të qeverisë Rama bëjnë që distanca mes jush dhe qeverisë të bëhet më e ngushtë çka do të bëjë që problemet që ka Vlora të marrin zgjidhje”, theksoi Tahiraj.

Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli u shpreh i bindur për zgjerimin e mëtejshëm të investimeve në territorin e njësisë së Orikumit gjatë mandatit të ardhshëm.

“Nuk do doja asnjëherë që projektet e mëdha të nisura, të ngelen vetëm në këtë shesh apo vetëm këtë godinë. Do doja që të përfshinin të gjithë Orikumin, Dukatin, Llogaranë, vijën bregdetare, Radhimën, Tragjasin të gjitha ato vende ku ka mundësi e potenciale turizmi. Të gjitha këto arrihen me një mbështetje të madhe në 25 Qershor për Partinë Socialiste”, tha Leli.

Kryetarja e FRESSH-it Saniela Xhaferi, njëkohësisht kandidate për deputete e Vlorës, ftoi të rinjtë e Orikumit që pas studimeve të rikthehen për të shërbyer në zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e jetesës.

Top Channel