Gafat zbulojnë merkaton: Sanchez futbollist i ri i Bayern

24/05/2017 00:00

Federata e Futbollit të Kilit zyrtarizoi lojtarët e grumbulluar për Kupën e Konfederatave që do të zhvillohet në Rusi nga 17 qershori deri në 2 korrik dhe në listën e latinëve kishte diçka të çuditshme për sytë kureshtarë.

Mes emrave që trajneri do t’i besojë për turneun simbolik nuk mund të mungonte dhe futbollisti kryesor Alexis Sanchez, por i prezantuar gabimisht ose ndoshta para kohe, si lojtar i Bayern Munchen.

Pikërisht kjo listë i ndezi edhe më shumë zërat e merkatos që e kishin lidhur edhe më parë sulmuesin kilian me kampionët e Bundesliga-s. Bayern nuk e ka fshehur se është i interesuar të blejë qoftë edhe me një cek të ekzagjeruar, futbollistin Sanchez. Gabimi në përcaktim u korrigjua shpejt nga Federata Kiliane, por jo pa bërë xhiron e botës në internet.

Kjo gafë, kombinuar me vizitën e agjentit të sulmuesit në Bavari te drejtuesit e Bayern, ka irrituar jo pak tifozët e Arsenalit. Nuk është tashmë një mister që Alexis Sanchez dhe skuadra londineze kanë acaruar marrëdhëniet, sidomos pas dështimit për t’u kualifikuar në Champions, për herë të parë në dy dekada radhazi.

Bayern ka ofruar 60 milionë euro për Sanchez, një shifër që meriton respekt duke konsideruar moshën e sulmuesit.

Top Channel