Rama në Manëz: 71 mandate që të vijojmë reformat

23/05/2017 00:00

Në një takim me banorët në Manëz, kryeministri Edi Rama ka kërkuar votën e tyre në mënyrë që PS të mund të vazhdojë reformat.

“Po të ndërtosh shtëpinë e përbashkët të një shteti mbi kënetën ku na lanë ata? Kemi vënë bazat, themelet, tani duhet të ngremë katet. Dy rrugë ka: o votoni PS që të ngremë katet e shtëpisë; ose jepjani votën PD-së dhe t’i shkatërrojë themelet. Ju e dini”, ka deklaruar Rama.

Në fjalën e tij, Rama është shprehur se alternativa tjetër do të thotë rrënim i arritjeve të deritanishme në 3 vjet e gjysmë të qeverisjes së tij.

“Unë e kam të thjeshtë pamjen se çfarë do të ndodhë në të dyja rastet. Nëse i jepni PS 71 mandate, timoni i reformave të shtetit është në duart më të sigurta që janë këtu. Nëse i jepni nën 71 mandate, PS mund të ketë sërish timonin por kush e di sa do të ketë në prerë për të mbajtur timonin dhe pa rrip sigurie”, ka thënë Rama.

Rama ka folur edhe për reformën në drejtësi, duke deklaruar se më në fund u arrit qëllimi për votimin e vettingut, një arritje të cilën ai e cilësoi si historike për vendin.

“Vettingu nuk fillonte për shkak se PD kishte ikur nga Parlamenti dhe natyrisht që rifillimi i jetës parlamentare dhe zhbllokimi i vettingut do të fillonte nga kthimi i PD, që me 50 përqindëshin e vetë e kishte bllokuar procesin”, ka thënë Rama.

Ai është shprehur se, vetëm kur pallati i drejtësisë të pastrohet nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar do të fillojë drejtësia e re, para të cilës do të jenë të gjithë të barabartë e ku të gjithë do të marrin dënimin e merituar.

“Sot Shqipëria është më e mirë se ç’ishte dje në mëngjes, është më dinjitoze në sytë e partnerëve sepse kjo që arritëm ishte një marrëveshje për shqiptarët. Një marrëveshje pas të cilës askush nuk mund të thotë jo doli kështu, jo doli ashtu”, ka thënë Rama.

Top Channel