Greqia nuk ka mundur të sigurojë një marrëveshje për të zhbllokuar këstin e radhës të paketës së shpëtimit, pasi bisedimet me ministrat e Financave të Eurozonës u ndërprenë.

Shefi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem tha se vazhdon të ketë një hendek, mes asaj që mund të bëhet dhe asaj që pritej të ishte bërë. Pavarësisht kësaj, ai pranoi se janë pranë një marrëveshjeje.

Bisedimet jozyrtare pritet të vazhdojnë para takimit të 15 qershorit të Eurogrupit. Takimet në Bruksel synojnë të arrijnë një vendim, nëse Greqia ka bërë aq sa duhet për të marrë huanë 7.5 miliardë euroshe, plus zbutjen e borxhit.

Paratë janë të domosdoshme, që Greqia të evitojë falimentimin përballë një kësti që duhet paguar në korrik. Për të siguruar fondet, vendi është detyruar të ndërmarrë një seri reformash ekonomike.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Gjermania raportohet se kanë pasur dallime për zbutjen e borxheve të vendit, pasi programi i shpëtimit të përfundojë vitin e ardhshëm. Pjesëmarrja e FMN-së në bisedimet për këstin e radhës synon pikërisht zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“U la të kuptohej se duhet bërë më shumë punë për të pasur një lloj qartësie, se tregjet financiare dhe populli grek do ta kuptojnë atë që do të ndodhë në fund të programit, për sa i takon zbutjes së borxhit”, tha ministri grek i Financave, Euclid Tsakalotos.

Sidoqoftë, ai shtoi se ishte optimist se një marrëveshje përfundimtare do të arrihej në kohë, për takimin e radhës në qershor. Shifrat e publikuara më herët këtë muaj tregonin se, Greqia ka rënë në recesion për të parën herë që nga viti 2012. “GDP”-ja e vendit ra me 0.1 për qind në 3 muajt e parë të këtij viti, pas një tkurrjeje prej 1.2 përqindësh në tremujorin e fundit të vitit 2016.

Top Channel