Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të vazhdojë para vjeshtës. Lobimet perëndimore ishin për ulje tensionesh në rajon. Por, zhvillimet e fundit bënë që gjuha e vjetër të rikthehet në vizionet e reja.

Dejan Anastasijeviç, i të përjavshmes “Vreme”, i cili ndjek situatën në Kosovë, thotë se dialogu ka nisur pa vullnet politik. Mekanizmat e BE-së kanë shteruar për të bindur palët. Në vjeshtë, – beson ai, – do të jenë takimet e para.

“Nuk besoj se dialogu do të ndërpritet, por do të shkojë shumë ngadalë dhe zbatimi i marrëveshjeve do të shtyhet. Nuk besoj se do të ketë formë tjetër dialogu, pasi është investuar shumë, por duket qartë që palët nuk kanë interes”, tha Dejan Anastasijeviç.

Beogradi ndodhet në një situatë tranzicioni, teksa kryeministri Aleksandar Vuçiç pritet të betohet në krye të Presidencës.

Marko Savkoviç, nga Fondi për Politika të Veçanta, thotë se janë shkëmbyer akuza të ashpra mes shqiptarëve dhe serbëve. Por dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të ndërpritet. Skenaret e kundërta nuk do të linin asnjë banor në Ballkan.

“Është e rëndësishme që të mbijetojmë deri pas përfundimit të procesit ‘Brexit’. Procesi i zgjerimit do të ishte sinjali më i mirë se, ky është një proces është i rëndësishëm. Procesi i Berlinit do të duhet të vazhdojë dhe angazhimi i të gjithë politikanëve të rajonit mund të sjellë shpresë”, tha Marko Savkoviç.

As turet e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian duket se nuk kanë ndihmuar për të gjetur një paqe më afatgjate për krizat politike mes Kosovës e Serbisë. Brukseli, megjithatë, është adresa e vetme që pritet të zgjidhë të gjitha këto tensione.

Top Channel