
Auto Star Albania bëri një prezantim spektakolar të kompleksit të saj të koncensionarit të Mercedes Benz.
Që prej së hënës, ky kompleks dhe koncensionari i markës më të njohur të automjeteve në Shqipëri dhe botë, do të jetë pjesë e grupit të mirënjohur afarist, “Kastrati Group”.
Bashkimi i Mercedes-Benz dhe “Kastrati Group”, vjen në 25 vjetorin e themelimit të biznesit të njohur në Shqipëri. Investimi për kompleksin e ri ka kushtuar 30 milion euro. Vend-ndodhja e tij në hyrjen e Tiranës dhe imazhi modern, pritet ta bëjnë këtë një kartolinë të Shqipërisë në sytë e të huajve, për shkak të risive arkitekturore të kompleksit, që janë bërë me kërkesën e vetë gjigantit gjerman Mercedes-Benz.
Në ceremoninë e inaugurimit, Benz-in në Tiranë e vizituan politikanë, qeveritarë, njerëz të medias, biznesit dhe artit. “Kastrati Grup”, duke filluar nga ky vit, shpreson që me investimin e ri të arrijë ambiciet e tij.
“Për vitin 2017, Autostar Albania synon të arrijë shitjen e 500 makinave të reja dhe të përdorura dhe të arrijë një xhiro vjetore prej 14 milionë eurosh. Ky investim i ri është një nga gurët kilometrikë më të rëndësishëm dhe gjithashtu suksesi i radhës për t’u festuar, sot 25 vite që nga krijimi i “Kastrati Group”, tha zv.Presidenti i kompanisë, Leonard Kastrati.
Por investimi I grupit Kastrati, i vënë në lupën e partnerëve gjermanë, shihet si një moment I rëndësishëm që do të japë fryte në të ardhmen.
“ Kastrati Group, me këtë investim të fuqishëm financiar ka treguar guxim, ka treguar besim në zhvillimin e infrastrukturës shqiptare për vitet që vijnë dhe është i përgatitur më së miri për këtë. E njoh shumë mirë këtë vend këtu, që kur ishte një fushë e gjelbër dhe autostrada drejt Durrësit akoma nuk ishte bërë dhe atëherë i ngrija pyetjen vetes, ‘a është vendimi i duhur për të ngritur përfaqësinë zyrtare të Mercedes-Benz pikërisht në këtë vend?’. Sukesi i këtij biznesi, në këtë vend i dha të drejtë vendimmarrjes së asaj kohe”, u shpreh Hans Georg Kullik, përfaqësues i Mercedes-Benz.
Ndërkohe ky investim përmbush edhe përgjegjësinë sociale të kompanisë, pasi do të punësohen 250 persona.
“Dua t’i uroj në mënyrë të veçantë 250 punëtorëve që fillojnë punë që nesër, në këtë establishment të ri. Puna e mbarë, shumë suksese dhe më vjen mirë që kjo është një ditë gëzimi, jo vetëm për grupin Kastrati, por për të gjithë ata të punësuar këtu, që 250 familje do të mbahen me një rrogë të ndershme, me një punë të ndershme dhe m,e një zanat të ndershëm, në këtë qendër fantastike shërbimi”, tha kryebashkiaku Erjon Veliaj.
Top Channel