Marrëveshja, Rama: PS i imponoi PD votimin e vettingut

22/05/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama, në një takim me simpatizantët socialistë në Sauk, ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar me liderin e opozitës ka qenë në favor të PS, e cila sipas tij iu imponua PD-së.

“Ne ia dolëm t’i imponojmë PD edhe ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi edhe zhbllokimin e vettingut. Dhe pa tjetër ia dolëm që PD të rikthehet në zgjedhje, sepse i duam në zgjedhje sepse duam që të gjithë qytetarët të zgjedhin, sepse na shijon fitorja duke i mundur ballë për ballë sesa duke i lënë mbyllur në çadër”, ka deklaruar Rama.

Përpara votimit në Kuvend, Rama ka saktësuar rolin e ministrave të rinj në kabinetin e tij qeverisës.

“Kemi këtë qeverinë me kudjestarët e zgjedhjeve dhe ajo s’do bëjë procedura të reja. S’do hyjë në tendera e histrori të tilla, është e ndaluar. Ajo që është e rëndësishme është fakti se duke i pasur brenda qeverisë këta ministra, pas zgjedhjeve nuk do na thonë dot na vodhën. Dhe në marrëveshje e kemi vënë: kush humbet mbështet qeverinë, siç mbështet shqiptari shqiptarin në luftë, për t’u futur në BE. Opozita do jetë krah më krah me qeverinë që t’i tregojmë Brukselit se ne jemi bashkë, se pavarësisht problemeve në shtëpi, atje do jemi një shtet serioz”, ka thënë Rama.

Rama është shprehur se, vetëm PS është fuqia që di të bëjë shtet dhe ajo që vjen më 25 qershor është sipas tij një rrugë me dy opsione: “Ose të bëjmë më shumë akoma, ose ajo që kemi bërë të prishet dhe të kthehemi prapa”.

“Ne mund të kemi konflikt, mund të kemi marrëveshje por kjo nuk e ndryshon faktin që mes dy palëve ne jemi ajo që e ndryshon shtetin dhe pala tjetër ajo që e shkatërron”, ka thënë Rama.

E ndërsa iu kërkoi socialistëve në të gjithë vendin 71 mandate më 25 qershor, Rama i kërkoi kryeqytetasve 18 mandate në Tiranë.

“Ose, ua kthejmë atyre qeverinë dhe themelet e ndërtuara në këto 3 vjet e gjysmë do t’i shihni përtokë në 3 muaj e gjysmë”, ka shtuar Rama.

Top Channel