Luan Rama: LSI e mirëpret paktin Rama-Basha. Tani implementimi

22/05/2017 00:00

Nënkryetari i LSI, Luan Rama ka deklaruar se kjo parti e mirëpret marrëveshjen Rama-Basha, që mundëson qeverinë e besimit dhe pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.

Deklaratën e tij, Rama e ka bërë në përfundim të mbledhjes së komisionit të ligjeve, që konstatoi dorëheqjen e Denar Bibës nga posti i kreut të KQZ-së, si pjesë e marrëveshjes.

“Është gjë e mirë që edhe komisioni i ligjeve po formalizon në dimension ligjor marrëveshjen e arritur. Gati 1 muaj e ca më parë, kur ne insistuam për nevojën e dialogut, kur thamë se për LSI është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje e madje kur thamë se ishim gati të ofronim të gjitha postet qeveritare nëse kjo do të zgjidhte krizën, sot mbetemi shumë korrekt dhe seriozë në angazhimin tonë për të implementuar këtë marrëveshje, që u arrit nga presioni i LSI dhe faktorit ndërkombëtar”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se nga ana e saj, LSI i ka përmbushur detyrimet tona. “Vlerësojmë tryezën e kompromisit, si zgjidhje e krizës institucionale. Qeveri besimi me zotin Rama kryeministër dhe zgjedhje me opozitën është ajo çfarë ka kërkuar LSI dhe që do të jetë një zgjidhje në përputhje me standardet”, ka shtuar Rama.

Top Channel