Falja e borxheve, fshirja automatike

22/05/2017 00:00

Kategoria e parë që përfiton nga fajla janë borxhet e biznesit, të cilat i përkasin periudhës para 31 dhjetorit të vitit 2010.

“Të gjitha këto detyrime do të fshihen automatikisht në sistem. Do të thotë se tatimpaguesi nuk do të duhet të bëjë asnjë veprim, nuk do të duhet të dërgojë asnjë kërkesë në administratën tatimore e as të paraqitet në administratën tatimore për të kontaktuar me inspektorët e dosjeve apo me të administratës në tërësi”, deklaron Xhavit Curri, nëndrejtor i përgjithshëm i Tatimeve.

Kategoria e dytë e borxheve i përket periudhës nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014. Shumica e këtyre borxheve falen me kushtin që të paguhet detyrimi fillestar.

“Tatimpaguesi sapo futet në llogarinë e tij gjeneron urdhër-pagesën e tatimit principal që ka të papaguar dhe me këtë urdhër-pagesë shkon në bankë, bën pagesën dhe pasi të paguajë principalin, gjobat dhe interesat fshihen në sistem”, sqaron Curri.

Bizneset do të njoftohen elektronikisht për faljen, pasi sistemi do të zerojë automatikisht borxhet e tyre. Numri i përfituesve është i madh.

“Prek më shumë se sa 84 mijë tatimpagues, por një tatimpagues mund të përfitojë disa falje nëse ka disa gjoba”, shton Curri.

Në total, shuma e borxheve të falura mund të arrijë deri në 670 milionë euro. Sipas Tatimeve, fshirja e borxheve do të nisë në ditët e para të muajit të ardhshëm, sipas përcaktimeve të ligjit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA