Zgjedhjet, nuk tronditen financat

21/05/2017 00:00

Vitet zgjedhore janë shoqëruar thuajse gjithmonë me përkeqësimin e financave të shtetit, por këtë herë, të paktën deri tani, buxheti i ka rezistuar presionit të zgjedhjeve, dhe është me tejkalim thuajse në të gjithë treguesit kyç. 

Sipas Ministrisë së Financave, për katër muajt e parë të vitit, të ardhurat buxhetore ishin rreth 7 miliardë lekë ose 50 milionë euro më shumë se sa plani, ndërsa krahasuar me vitin e kaluar, ato janë rritur me gati 70 milionë euro. 

Të dhënat tregojnë se tejkalimi është rezultat i rritjes së të ardhurave tatimore. Brenda këtij grupi, rritjen më të lartë, gati 36 për qind mbi planin, e kanë shënuar të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, ndërsa zëri i dytë me ecurinë më të mirë është ai i taksave kombëtare.

Por edhe pse ka mbledhur më shumë të ardhura, qeveria nuk i ka rritur shpenzimet. Në fund të katërmujorit, buxheti u mbyll me sufiçit 11.6 miliardë lekë. Kjo është hera e parë në 12 vitet e fundit, kur Shqipëria hyn në zgjedhje të përgjithshme me sufiçit buxhetor, pasi në të kaluarën, gjithmonë përpara zgjedhjeve, qeveritë e kanë rritur ndjeshëm borxhin.

Brenda pak ditësh, Ministria e Financave do të ketë një drejtues të ri. Arben Ahmetaj largohet për t’ia lënë vendin një ministri teknik të propozuar nga opozita, sipas marrëveshjes politike Rama-Basha. Por a do të ndikohen financat e shtetit nga ky zëvendësim? Kjo mbetet për t’u parë.

Ajo që dihet është se për këtë vit, qeveria është angazhuar të ulë borxhin publik në 68.9 për qind e prodhimit Kombëtar dhe një devijim sado i vogël gjatë muajve në vijim, do ta bëntë thuajse të pamundur këtë objektiv.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA