I pandehuri ndihmon gjyqtarin, “ankohet” për pafajësinë

21/05/2017 00:00

Gjyqtari Arqile Basho ka një  karrierë prej 23 vitesh në gjyqësor, por  në fluksin e 170 dosjeve që kishte nën gjykim, ajo që i hapi probleme është dosja e një shtetasi të hetuar për vjedhje të energjisë.

Gjatë gjykimit të këtij shtetasi, gjyqtari pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e shpallur fajtor dhe duke e dënuar me kusht, por ndërkohë, për shkak të ngarkesës, megjithëse në vendimin e zbardhur gjyqtari arsyetonte fajësinë, në përfundim e konsideronte këtë shtetas të pafajshëm.

Një lapsus ky që u konstatua nga vetë i pandehuri, habia e të cilit nuk ka zgjatur shumë. Për këtë çështje prokuroria e Fierit zhvilloi hetime që konkluduan në përfundim se nuk kishte vepër penale.

Prokroria konstatoi se bëhej fjalë për një lapsus të korrigjuar në kohë, nga vetë gjyqtari, i cili në prani të prokurorit dhe të të pandehurit, ka dhënë një vendim të dytë me objekt ndreqje gabimi.

Edhe KLD e thirri gjyqtarin, i cili tregoi: “Në të njëjtën ditë i pandehuri shkon tek kryesekretarja dhe i komunikon që unë kam marrë vendim tjetër dhe gjyqtari ka bërë një gabim, jepjani ta rregullojë. Aq sa mund të thotë një i pandehur me një kulturë minimale dhe njëkohësisht i thotë dhe prokurorit të çështjes. Për hir të së vërtetës dhe nuk mohohet nga askush kjo gjë. Tani unë e kam cënuar imazhin e drejtësisë dhe interesin publik apo e kam mbrojtur atë? Unë konkludoj që unë përkundrazi e kam mbrojtur atë, se po qe se unë nuk do kisha ndërhyrë në kohë, të thërrisja palët, të merrja mendimin e palëve që ishin të interesuara për çështjen, atëherë çfarë do të ndodhte? Çështja do të zgjatej, do të shkonte në Apel, do të rikthehej përsëri për gjykim, se ishte normale që do të kthehej”.

Duke parë rezultatet dhe vlerësimet pozitive në vite, anëtarët e KLD-së nuk morën asnjë masë ndaj gjyqtarit.

Top Channel