Reagimet për marrëveshjen, Flasin Bushati, Majko dhe Lame…

20/05/2017 00:00

Marrëveshja Rama Basha është komentuar në mënyra të ndryshme nga brenda Partisë Socialiste. Pandeli Majko thotë se Rama njihet për veprime të gabuara për qëllimet e duhura.

Ndërsa Ditmir Bushati i pyetur për një bashkëqeverisje PS-PD thotë se përgjigjen do e kthejë pas 25 qershorit. Një reagim ka edhe Artan Lame, kreu i Aluiznit duhet të lërë detyrën pas kësaj marrëveshje.

“Sot për sot çdo parti politike përfshi dhe Partinë Socialiste është e angazhuar për të pasur një proces sa më të drejtë sa më të ndershëm, sa na përket ne si forcë politike kemi objektiv për të marrë një numër sa më të madh vendesh në parlament dhe kësaj pyetje mund ti përgjigjemi pas 25 qershorit”, tha Ditmir Bushati.

Pandeli Majko i bëri thirrje PD-së, që të gjejë sa më shpejt tekniket që fitoi në tavolinë. Duke u ndalur tek marrëveshja Majko, nënvizon se marrëveshje perfekte nuk ka në politikë dhe se ata që përpiqen të gjejnë kush humbi dhe kush fitoi kërkojnë thjesht ta keqinterpretojnë marrëveshjen e arritur.

“Marrëveshja Rama – Basha ishte një mirëkuptim midis kundërshtarësh për funksionimin e sistemit politik, i cili po vetëmbytej nga pasioni politik. Ajo largoi vendin nga dhuna dhe dëshpërimi që do të çonte shoqërinë në drejtim të paditur. Kjo marrëveshje nuk diskuton simpatitë por interesat. Ajo nuk sfidon bashkëpunimin e së majtës por papërgjegjshmërinë në politikë”, tha Pndeli Majko.

Artan Lame, i cili duhet te largohet nga detyra kujton historinë e shkruar nga Marin Barleti për shpatën e Skënderbeut dhe Sulltanin.

“Edhe në këtë punën tonë, nuk ishte palla, ligje a përdorim fushate, që na bëri që të fitojmë zemrat e mbi 100.000 familjeve që përfunduan procesin çerek-shekullor të legalizimit të pronës së tyre. Ishte krahu, puna e përkushtimi i qindra djemve e vajzave që shkuan shtëpi më shtëpi cep më cep të Republikës, që na i dha këtë rezultat. Do të rrojmë e do të shikojmë që, edhe në këto zgjedhje, kështu do jetë”, tha Artan Lame.

Top Channel