Kongresmeni amerikan, Turner uron Metën

20/05/2017 00:00

Kongresmeni amerikan, Michael Turner ka uruar Ilir Metën për zgjedhjen e tij në postin e presidentit të Shqipërisë.

Përmes një telegrami, Turner shpreh bindjen se Meta në këtë detyrë të rëndësishme do të shfaqë të njëjtin lidership që ka shfaqur gjatë kohës që ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit. Kongresmeni ka qenë president i Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe ka drejtuar punimet e sesionit të pranverës 2016, që u zhvillua në Tiranë.

“Dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të ngrohta për zgjedhjen tuaj president i Shqipërisë. Për mua ishte kënaqësi t’ju takoja gjatë sesionit të pranverës 2016 të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë. Fjala juaj në këtë sesionin, në lidhje me faktin që NATO duhet të adresojë sfidat komplekse të sigurisë në mënyrë të unifikuar dhe kolektive ishte pikërisht në kohën e duhur. Jam i sigurt që ju, si president i Shqipërisë do të shfaqni të njëjtin lidership që keni shfaqur gjatë kohës që keni shërbyer si kryetar i Kuvendit”, thotë Turner.

Kongresmeni vë në dukje faktin se dy vendet kanë pasur një marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyer, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike për herë të parë në vitin 1912 dhe rivendosja e tyre në vitin 1991, pas rënies së regjimit komunist.

“Unë shpresoj në përmirësimin e marrëdhënies tonë të fortë, forcimin e partneritetit tonë në NATO dhe në zgjerimin e përpjekjeve tona anti-terror ndaj Shtetit Islamik”, thotë më tej Turner.

Top Channel