Lirohet bulevardi. Pas 3 muajsh, çmontohet çadra

19/05/2017 00:00

Çmontimi i çadre së lirisë nisi në orën 22:15 të datës 18 maj, pasi Lulzim Basha mbajti fjalimin e tij të fundit dhe i kërkoi protestuesve që të largoheshin.

Vendin e protestuesve në çadër, e zunë punëtorët. Për më shumë se 5 orë, ata larguan gjithçka që për 90 ditë i kishte shërbyer opozitës dhe protestuesve për kauzën e tyre.

Mëngjesi i 19 majit e gjeti Tiranën dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit pa çadër. Rrethanat sollën që të ishte data 19 maj, dita kur çadra e opozitës të hiqej përfundimisht.

Por kjo datë nuk është fare e panjohur për shqiptarët, por edhe për çadrën. Po më 19 maj, por të vitit 2010, opozita e atëhershme, mazhoranca e sotme, doli nga çadra e urisë, e ngritur në po të njëjtin vend.

Këtë ngjarje, e kujton me anë të një postimi në “Facebook”, deputetit socialist Artan Gaçi. Ai ka publikuar një foto të të gjithë grevistëve të urisë, të cilët qëndruan aty për 20 ditë për kauzën e votës së lirë. Gaçi falënderon të gjithë ata që sakrifikuan, me bindjen se Shqipëria do të bëhet një vend më i mirë.

Top Channel