Durrës, naftë dhe ilaçe kontrabandë

19/05/2017 00:00

Një sasi medikamentesh dhe nafte kontrabandë është sekuestruar nga Policia e Durrësit, ndërsa në pranga u vunë një farmacist dhe një gomist, të dyshuar si përgjegjës për vepra penale që lidhen me kontrabandën e mallrave dhe fshehjen e të ardhurave nga tregtimi i produkteve të padeklaruara.

Në një farmaci në zonën e plazhit, specialistët e antikrimit ekonomik dhe financiar të Durrësit gjetën dhe sekuestruan 99 lloje të ndryshme medikamentesh me një vlerë 400 000 lekë, të cilat nuk kishin pullat fiskale të Agjensisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore Tiranë.

Në një tjetër kontroll të ushtruar në një gomisteri në lagjen nr.3 të Durrësit, në afërsi të portit detar, u gjet dhe sekuestrua një sasi prej 220 litrash naftë e pamarkuar, e cila është kontrabandë.

Në të dyja rastet u arrestuan pronarët e objekteve, të cilët do të përballen me hetime të mëtejshme për veprat penale që lidhen me tregtimin, transportimin si dhe ruajtjen e mallrave kontrabandë, përfshirë mallrat për të cilat paguhet akcizë në rastin e naftës, si dhe fshehjen e të ardhurave nga tregtimi i tyre.

Top Channel