Pas një dite të ngarkuar me deklarata dhe kundërdeklarata, letra dhe komunikime në rrjetet sociale dhe me një konfuzion lidhur me ofertat në tavolinë, Edi Rama dhe Lulzim Basha u takuan kur askush nuk e priste.

Në momentin kur kryetari i Partisë Demokratike po komunikonte me gazetarët tek Kryesia e Kuvendit, pak para se të niste takimi me kryetarët e partive parlamentare, kamerat fokusuan shumë pranë Edi Ramën, që solli edhe shkëmbimin e parë të batutave.

“Erdha unë”, tha Rama.

“Ik futu brenda, se aty kemi punë”, replikoi Basha.

Pak çaste më vonë ata u ulën ballë përballë në tryezën e kryetarëve të partive parlamentare që u iniciua nga republikanët dhe agrarët, si një mundësi finale për zgjidhjen e krizës, ndërsa negociatat hyjnë në orët e fundit, me ndërmjetësimin amerikan, para se në mesnatë të hyjë në fuqi fillimi i fushatës elektorale.

Fillimisht ishte Partia Dmeokratike që deklaroi detajet dhe pranoi se ishte dakord për paketën “McAllister”. Pas saj, dy parti të koalicionit qeverisës përshendetën këtë dhe kërkuan që tashmë të gjithë ta pranonin këtë ofertë.

Duket se perveç detajeve të vogla megjithatë, thelbi mbetet data e zgjedhjeve. Partia Demokratike dhe aleatët, duke pranuar paketën McAllister, pranojnë datën 16 korrik.

Por Top Channel ka mësuar se kryeministri nuk heq dorë nga kushtetueshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve brenda muajit qershor. Një burim diplomatik i përshkruan negociatat shumë të vështira, por i pohon Top Channel se ende ka besim se marrëveshja do të arrihet.

Gjatë ditës, kreu i PD i dërgoi një letër kryeministrit ku i kërkonte të fillonin punën për zbatimin e paketës McAllister. Por Edi Rama, duke iu përgjigjur direkt në Twitter, i tha të mos fshihej pas këtij emri, por të fokusohej tek ajo çfarë kishte në tavolinë.

Ndërkohë, nga Elbasani, pak para takimit në Kryesinë e Kuvendit,  për herë të parë Rama shpjegoi se çfarë kishte ndodhur këto 48 orë. Ai akuzoi Bashën se po tentonte të manipulonte mediat dhe opinionin publik për një gjë që nuk është.

Dhe kjo, tha ai, nuk është një negociatë, por një ofertë e mbështetur nga amerikanët, që Basha duhet ta marrë, ose nesër PS nis fushatën elektorale.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel