NBA, Golden State nënshtron San Antonion. Finalja, 2-0

17/05/2017 00:00

Luftëtarë dhe të pamposhtur! Golden State Warriors dominuan sërish në “Oracle Arena” ndaj San Antonios, me sfidën e dytë mes tyre që përfundoi 136-100, por që në fakt ishte mbyllur qysh pas periodës së dytë, me kalifornianët që kishin shënuar një diferencë prej 28 pikësh avantazh.

Ekipi i udhëhequr nga Curry, me 29 pikë dhe 7 asiste, dhe Durant me 16, tashmë e sheh veten në bilancin 2-0 sa i përket finales së Konferencës së Perëndimit, por mbi të gjitha me të 10 sfidat e luajtura të fituara dhe asnjë të humbur. Pamposhtmëria e tyre dukej se nuk do të zgjaste shumë përpara se Leonard të dëmtohej, por Spursat pa Leonard janë një tjetër ekip.

Tashmë sfida do të ndërrojë parket dhe përballja e tretë do të luhet të shtunën në “AT&T Center”, me teksanët që do të duhet të rikuperojnë Leonardin, si dhe të kthejnë në një gjendje psikologjike më të mirë Aldridge dhe të tjerët.

Warriors, edhe pse me mungesën e Iguodala, po zhvillojnë një lojë tejet të shkëlqyer, falë edhe Stephen Curry, i cili duket se është kthyer në nivelet e pretendentit për “MVP”, pse jo edhe në nivelet më të mira të tij në fazat e “play off”-eve.

Top Channel