Administratorët e pallateve, Veliaj thirrje qytetarëve për zgjedhjen

17/05/2017 00:00

Projekti i administratorëve të pallateve ka nisur zbatimin dhe synimi i tij është krijimi i një rrjeti punonjësish të përzgjedhur nga qytetarët dhe të certifikuar nga bashkia e Tiranës.

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmes një videomesazhi u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të bëhen pjesë e projektit në zgjedhjen e administratorëve të rinj.

“Prej vitesh ne kemi trashëguar  një sërë problematikash në pallatin tonë, në komunitetin tonë, në lagjen tonë. Bashkia e Tiranës ka një plan konkret se si këto mund të zgjidhen. Një punonjës i bashkisë  do të vijë shumë shpejt në derën tënde për të ftuar  që të jesh pjesë e vendimmarrjes për administratorin e ri të pallatit. Ky administrator i ri do të kujdeset për të gjithë hapësirën e përbashkët dhe do të zgjidhë shumë prej problemeve në komunitet. Ne provat e para i kemi dhënë, por ka ardhur koha që edhe ti të bëhesh pjesë e këtij ndryshimi të madh  për ta sjellë Tiranën në një qytet me parametra europianë”, thekson Veliaj.

Kjo iniciativë mbi të gjitha siguron standardet e ruajtjes së higjienës, shëndetit publik dhe mbrojtjes kundër zjarrit, duke rritur kështu sigurinë e banorëve dhe duke vendosur standardet e munguara deri më sot.

Top Channel