Veliaj: Na mbështesni që Tiranës t’i shkojë puna mbarë

16/05/2017 00:00

Erion Veliaj, kryetar i bashkisë së Tiranës, njëkohësisht dhe anëtar i kryesisë së PS-së, u ka bërë thirrje të rinjve të marrin pjesë në votime.

Gjatë një takimi me votuesit për herë të parë të njësisë nr. 5, Veliaj tha se shumë nga investimet e nisura rrezikojnë të mbeten në mes, në mos dhe të prishen, nëse e djathta vjen në pushtet.

“Nuk dua t’ju rreshtoj të gjithë gjërat që kemi bërë në njësinë 5, por di t’ju them që siç u bënë, edhe mund të prishen, se u nis të bëhej sheshi “Skënderbej” dhe u prish, u nis të mbaronte Zogu i Zi dhe u prish. Sot vërtet jemi shumica të rinj, por jo edhe aq të rinj sa të mos mbajmë mend që brenda jetës sonë dhe memories sonë, gjëra të mira në këtë qytet janë prishur. Ndaj dhe është e rëndësishme që jo vetëm të fitojmë bindshëm, por bindshëm të marrim pjesë. Besojmë që secili do jetë në detyrën e vet dhe një ekip i mirë funksionon kur s’ka nevojë që dikush të na kujtojë përditë detyrën që ne duhet të bëjmë. Çohuni çdo mëngjes me një ide fikse, të flemë çdo darkë me një ide fikse, për ta nxjerrë Partinë Socialiste të Shqipërisë superfituese dhe njësinë 5 në ballë të fitores sonë”, tha Veliaj!

Veliaj deklaroi se nuk është e rëndësishme vetëm që Partia Socialiste të fitojë bindshëm, por mbi të gjitha që e gjithë njësia 5-së të shkojë për zgjedhje.Duke vlerësuar përfshirjen e mjaft të rinjve në listat për kandidatë për deputetë, Veliaj theksoi se ky është tregues se PS beson tek të rinjtë.

Top Channel