Jo më barna të pacertifikuara veterinare, por për njerëzit…

16/05/2017 00:00

Nuk është kusht për njerëzit, por bëhet për kafshët. Me ligj, në Shqipëri do të lejohet vetëm importimi i atyre barnave që janë të certifikuara në Bashkimin Europian.

Ky është një nga aspektet e ligjit të ri që e unifikon shërbimin veterinar shtetëror.

“Nuk mund të lejohet që të importohen medikamente veterinare që nuk kanë një certifikatë të BE, çka do të bëjë të mundur të hapë eksportin, pra është një nga elementet, kushtet bazë për eksportin e kafshëve të gjalla dhe të produkteve shtazore drejt Bashkimit Europian” u shpreh Edi Ferro, drejtor i Shërbimit Veterinar.

Fusha e veprimtarisë së veterinerit zyrtar do të përfshijë edhe kontrollin shëndetësor të kafshës para dhe pas therjes, tregjet e kafshëve të gjalla, kullota dhe njësitë e shitjes së kafshëve të shoqërimit e zbukurimit.

Shërbimi Veterinar Shtetëror do të centralizohet vetëm në Ministrinë e Bujqësisë. Diktuar nga reforma territoriale, qeveria ka miratuar një projektligj që e unifikon Shërbimin Veterinar Shtetëror, që aktualisht ka qenë i fragmentuar mes Ministrisë së Bujqësisë dhe bashkive.

“Unifikohet Shërbimi Veterinar pas 25 vitesh, çka do të thotë se veterinerët e pushtetit vendor dhe funksionet e tyre kalojnë në linjë vertikale në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe drejtorive rajonale në rrethe”, thotë Ferro.

Top Channel