Ahmetaj: Rritja ekonomike s’lidhet me drogën

16/05/2017 00:00

Teza se rritja ekonomike është ndihmuar nga prodhimi i drogës po debatohet gjerësisht edhe mes ekspertëve. Por ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka një përgjigje kategorike.

“Nuk ka vend që të ketë lulëzuar nga aktivitetet ilegale, pavërësisht nëse këto janë të mëdha apo të vogla. Zhvillimi ekonomik ka ardhur nga investimet e huaja, nga investimet vendase, nga rritja e punësimit, nga rritja e kërkesës së brendshme dhe nga besimi i aktorëve tek ekonomia shqiptare”, ka thënë Ahmetaj.

Për kreun e Financave, të njëjtat zhvillime të ligjshme shpjegojnë edhe forcimin e euros ndaj lekut. “Mos harroni që në 2016 kemi patur 1.5 miliard euro nga turizmi”, tha Ahmetaj.

Në 2016-n rritja ekonomike u përshpejtua në 3.5 për qind, ndërsa këtë vit qeveria pret që shifra të shkojë 3.8 për qind. Ahmetaj thotë se tani qeveria ka mundësi të ulë taksat, veçanërisht për rrogat e larta.

“Për shkak se ne e kemi kaluar krizën, për shkak se kemi një trajektore ulëse borxhi, për shkak se dhe në një vit elektoral po i konsolidojmë financat dhe nuk po i degjenerojmë ato, do të zbusim progresivitetin për ata që i kanë rrogat mbi 130 mijë lekë në muaj”, tha Ahmetaj.

Por rimëkëmbja e ekonomisë për ministrin e Financave ka një pengesë. “Prezenca e çadrës është risk real për ekonominë dhe mirëqënien e qytetarëve. Sot çadra është armiku kryesor i mirëqënies së qytetarëve”, shtoi Ahmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA