Zbardhet takimi Meta-Yee. Zyrtari i DASH: Mbështetje Shqipërisë

15/05/2017 00:00

Në takimin e zhvilluar me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, zyrtari i Departamentit të Shtetit Hoyt Brian Yee deklaroi se, SHBA do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Nga ana e tij Meta, duke u fokusuar tek zhvillimet e fundit politike në vend, theksoi se, mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme kërkon më tepër përgjegjshmëri e më shumë gjithëpërfshirje.

“Bojkoti nuk është zgjidhje dhe opozita duhet të gjejë të gjitha forcat për t’u përfshirë në procesin zgjedhor, për t’i shërbyer demokracisë dhe të ardhmes evropiane të vendit”, tha Meta.

Njëkohësisht, vijoi ai, mazhoranca duhet të tregojë vullnet maksimal për përfshirjen e opozitës dhe respektimin e kërkesave dhe të drejtave të saj.

“Gjithëpërfshirja dhe dialogu konstruktiv janë vendimtare për përshpejtimin e integrimit evropian, për sundimin e ligjit, për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për legjitimitetin e institucioneve të vendit”, tha më tej Meta.

Presidenti i zgjedhur priti po sot në një takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i kryesuar nga nënpresidenti Roberto Battelli.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me OSBE-në, Meta theksoi se, “Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të përgjegjshme mes palëve”.

“Zgjidhja të bazohet në gjithëpërfshirje dhe dialog konstruktiv politik. Kompromisi në interes të zgjedhjeve të lira e të ndershme”, u shpreh Meta.

Nga ana e tij, Battelli shprehu gatishmërinë e OSBE-së për të ndihmuar në lehtësimin e dialogut. “Progresi demokratik i Shqipërisë i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha ai.

Top Channel