Autoritetete europiane kanë një paralajmërim për këdo në botë që është prekur nga super sulmi kibernetik i fundjavës: Mos paguani haracin. Sulmi preku të paktën 150 vende që prej të premtes dhe infektoi 200 mijë pajisje elektronike.

Arma kryesore e sulmit ishte një program që njihet në gjuhën e teknologjisë si “krimb” dhe që nuk lejonte përdoruesit të kishin akses tek kompjuterat e tyre. Për t’u rikthyer kontrollin njerëzve, virusi kërkonte qindra dollarë haraç.

Por Europol paralajmëron se pagesa nuk garanton që do të marrësh mbrapsht të gjitha informacionet në kompjuter dhe për më tepër, nëse hakerat marrin atë që duan, kjo vërteton se krimbi ishte efektiv.

Europol tha se nëse aktiviteti kriminal i hakerave sjell shpërblimin që ata duan, ata do të kërkojnë mënyra të reja për të infektuar sistemin. Europol tha se fatmirësisht shumë pak njerëz kanë paguar haraçin dhe se hakerat kanë fituar diçka më shumë se 51.000 dollarë.

Europol tha se sulmi është ngadalësuar ndjeshëm dhe numri i infektimeve të reja ka rënë, por vigjilenca mbetet e lartë, ndërsa ka nisur gjuetia kibernetike për të zbuluar fajtorët për sulmin.

Heroi i rastësishëm i situatës është bërë një inxhinier elektronik 22 vjecar që frenoi ndjeshëm sulmin, që pëndryshe do të kishte shkaktuar jashtëzakonisht më shumë dëme. Britaniku Marcus Hatchins në pak orë ndaloi sulmin kolosal duke punuar nga shtëpia e tij dhe tashmë po bashkëpunon me shërbimin inteligjent britanik GCHQ për të parandalur përsëritje të tij.

Hutchins bashkë me një koleg amerikan zbuloi një faqe të paregjistruar interneti brenda virusit dhe shumë shpejt kuptoi se ajo ishte çelësi për ta kontrolluar atë. Ai e bleu faqen për 10 dollarë e 69 cent dhe e regjistroi zyrtarisht, duke çaktivizuar armën e hakerave.

Nga dhoma e tij e gjumit, e cila është një laboratori teknologjie i ndërtuar nga vetë Hutchins, ai ndaloi një sulm që turpëroi dhjetëra shërbime inteligjence me financa kolosale.

Top Channel